Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që dyfishon tarifat për importet e çelikut dhe aluminit nga 25% në 50% .
Masa e re, e cila hyri në fuqi sot (4 qershor), ka ngritur shqetësime në qarqet e biznesit dhe ato politike si brenda ashtu edhe jashtë SHBA-ve.
Administrata Trump thotë se vendimi synon mbrojtjen e industrisë amerikane të çelikut, të cilën presidenti i SHBA-ve e ka përshkruar si “kritike për sigurinë kombëtare”.
Megjithatë, linja e ashpër e Shtëpisë së Bardhë tashmë po shkakton një valë reagimesh, nga anulimet e porosive dhe rritja e kostove për bizneset amerikane, deri te rreziku i hakmarrjes tregtare nga partnerët kryesorë tregtarë, raporton BBC.
Ekonomistët paralajmërojnë për humbje më të mëdha këtë herë. Një analizë e vitit 2020 zbuloi se tarifat e vendosura gjatë mandatit të parë të Trump krijuan rreth 1,000 vende pune në industrinë e çelikut, por shkaktuan humbjen e 75,000 vendeve të punës në sektorë të tjerë, siç janë prodhimi dhe ndërtimi.
“Është shumë e pamatur të këmbëngulësh në këto lloj masash, veçanërisht kur bëhet fjalë për produkte industriale të ndërmjetme që rrisin kostot e prodhimit në të gjithë zinxhirin”, tha Erica York, nënkryetare e politikës tatimore në Fondacionin Tatimor.
Tensionet ndërkombëtare
Ndërsa shumica e partnerëve tregtarë të SHBA-ve janë goditur nga rritja, Mbretëria e Bashkuar është përjashtuar – përkohësisht – nga regjimi i ri, duke i mbajtur tarifat në 25 përqind. Trump ia atribuoi përjashtimin negociatave të vazhdueshme tregtare midis SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
BE -ja dhe Kanadaja e kanë lënë të hapur mundësinë e hakmarrjes tregtare. Olof Gill, zëdhënësi i tregtisë i Komisionit Evropian, tha se të dy palët ishin në “negociata intensive” dhe shpresonte që SHBA-të do ta tërhiqnin masën e re.
Megjithatë, Trump nuk tregoi shenja tërheqjeje. Duke folur nga një fabrikë çeliku në SHBA të premten, ai tha se qëllimi i tij ishte t’i bënte importet aq të pafitueshme saqë kompanitë nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të kalonin te furnizuesit vendas.



Të tjera
Parkinson mund të fillojë para lindjes
Të hiqen të gjitha masat e Kosova ta marrë statusin e kandidatit
Përurohet ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër