Tentoi të fuste pleh kimik me origjinë nga Rusia, parandalohet nga dogana

Tentoi të fuste pleh kimik me origjinë nga Rusia, parandalohet nga dogana

Dogana e Kosovës thotë se ka parandaluar tentativën për mashtrim nga një subjekt ekonomik e cila kishte tentuar të fuste 130 tonë pleh kimik nga Federata Ruse, duke e paraqitur atë si produkt me origjinë nga Serbia.

Sipas njoftimit nga Dogana e Kosovës,  kompania paraprakisht kishte marrë përgjigje negative me shkrim se importi i këtij produkti ndalohet për shkak të sanksioneve ndaj Federatës Ruse, por të njëjtit kanë vazhduar me tentativën për të kamufluar origjinën.

“Dogana e Kosovës ka ndaluar një rast të tentativës për mashtrim me origjinën e mallit nga një subjekt ekonomik që ka tentuar të importojë pleh kimik me origjinë nga Federata Ruse, duke e paraqitur atë si produkt me origjinë nga Serbia. Kompania paraprakisht kishte marrë përgjigje negative me shkrim nga Dogana e Kosovës se importi i këtij produkti ndalohet për shkak të sanksioneve ndaj Federatës Ruse, derisa subjekti ka vazhduar me tentativën për të kamufluar origjinën duke ambalazhuar paraprakisht mallin me thasë që mbanin emërtimin e një prodhuesi nga Serbia”, thuhet në njoftim.

Dogana thotë se ka ndërhyrë me kohë dhe ka ndaluar dërgesat të këtij malli në momentin e hyrjes në Republikën e Kosovës.

“Me Aktvendim të kundërvajtjes, palës i është urdhëruar kthimi i menjëhershëm i mallit jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Ky rast paraqet një sukses të Doganës së Kosovës në zbatimin efektiv të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse, në përputhje me Vendimet e miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media të Doganës së Kosovës.