Ligji për KPK-në, Këshilli Prokurorial i reagon ashpër zyrës së BE-së

Një letër ‘qortuese’ nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, kishte shkuar muajin e kaluar në adresë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Letra vuri në pah se anëtarët e Këshillit ishin duke u organizuar për të penguar zbatueshmërinë e ligjit të ri të KPK-së, duke dhënë dorëheqje anëtarët aktual e duke u zëvendësuar me të tjerë.

Megjithatë këto pretendime të ngritura nga Bashkimi Evropian i kanë mohuar në Këshillin Prokurorial. Përmes një përgjigjeje me shkrim kryesuesi i këtij institucioni, Ardian Hajdaraj ka thënë se nuk besojnë se kjo letër është qëndrim zyrtar i BE-së.

“Lidhur me letrën që kemi pranuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, KPK vlerëson se nëse e shihni me kujdes këtë letër mund të vëreni se ajo bazohet në thashetheme dhe nuk ka asnjë provë konkrete për pretendimet që përshkruhen në të. Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë kundër reformave në sistemin e drejtësisë, por natyrisht siç përcaktohet edhe me ligj, nuk mund të ndalojë as dorëheqjen e asnjërit prej anëtarëve të tij. KPK pret të bëhet një reagim i nevojshëm dhe konstruktiv nga përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë, sepse vërtet nuk beson asesi se kjo letër përbën një qëndrim të bazuar të tyre”, ka deklaruar Ardian Hajdaraj – Kryesues i KPK-së.

“Reagimi i BE-së, konkretisht letra që i është dërguar anëtarëve të KPK-së, është me të vertetë ka qenë një gjendje shqetësuese për faktin se vetëm fillun me dhënë dorëheqje, e patëm një dorëheqje nga antari i KPK-së, Armend Zenelaj që është deponu tek kryesuesi i KPK-së”, ka deklaruar Flamur Kabashi – Hulumtues në IKD.

Kabashi shton se kjo tentativë është ndalur meqë ligji ka hyrë në fuqi.

“Tashmë kjo tentativë është ndalur sepse tashme ligji ka hyre ne fuqi, ligji për KPK-në është publikuar në Gazetën zyrtare dhe krijohet dhe ka përfundu afati 15 ditor zyrtare dhe njëfarë forme ligji, për kpk percakton sakte dhe kjart 7 anëtare i ka, mandatet të cilët aktualisht i kanë anëtaret ruhen deri ne përfundim te mandatit te tyre…”, ka thesuar ai.

Në anën tjetër në Ministrinë e Drejtësisë, kanë thënë se kanë qenë në dijeni për planet e KPK-së, të cilët sipas tyre vazhdimisht kanë përdorur forma të ndryshme për të penguar këtë reformë.

Pas kalimit të filtrave të Gjykatës Kushtetuese, Ligji për Këshillin Prokurorial ka hyrë në fuqi, në fund të muajit të kaluar.