Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka njoftuar se do të iniciojë padi dhe procedurë gjyqësore ndaj një qytetari, pasi sipas saj ai publikoi në rrjetin social Facebook video dhe fotografi ku shihet duke derdhur qumësht në lumin Bistricë, përcjell KosovaPost.
Sipas njoftimit të kompanisë, bëhet fjalë për një fermer, i cili dyshohet se ka derdhur qumësht në lumin Bistricë, ujërat e të cilit derdhen në kanalin furnizues të Liqenit të Radoniqit.
KRU “Gjakova” ka bërë të ditur se, bazuar në vlerësimet e ekspertëve të saj, qumështi paraqet ngarkesë të lartë organike për mjedisin ujor.
Njoftimi:
NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK
K.R.U. “Gjakova” Sh.A. njofton opinionin publik se një person i quajtur Tafë Çeku ka publikuar video dhe fotografi në rrjetin social Facebook, ku shihet duke derdhur qumësht në lumin Bistricë, ujërat e të cilit derdhen në kanalin furnizues të Liqenit të Radoniqit.
Sipas ekspertëve të K.R.U. “Gjakova” Sh.A., qumështi paraqet një ngarkesë të lartë organike për mjedisin ujor. Shkencërisht, ai nxit shumimin e baktereve, rrit turbullirën e ujit dhe konsumin e oksigjenit, shton kërkesën për klor gjatë procesit të dezinfektimit dhe mund të favorizojë formimin e trihalometaneve (THM).
Për të garantuar sigurinë e ujit të pijshëm dhe në përputhje me procedurat teknike, jemi të detyruar të ndërpresim për disa orë mbushjen e Liqenit të Radoniqit me ujë nga kanali, deri në përfundimin e vlerësimeve dhe masave të nevojshme nga ekipet tona profesionale.
Lidhur me këtë rast, K.R.U. “Gjakova” Sh.A. ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila do të ndërmarrë veprimet e mëtejshme sipas kompetencave ligjore. Po ashtu, ndaj personit në fjalë do të iniciohet padi dhe procedurë gjyqësore gjatë ditës së hënë.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që çdo pakënaqësi apo shqetësim ta shprehin përmes rrugëve ligjore dhe institucionale, duke mos ndërmarrë veprime që rrezikojnë burimet e ujit të pijshëm. Çdo ndotje ose dëmtim i burimeve ujore cenon interesin publik, duke pasur parasysh se nga Liqeni i Radoniqit furnizohen me ujë të pijshëm mbi 200 mijë banorë.
K.R.U. “Gjakova” Sh.A. mbetet e përkushtuar për të garantuar furnizim të sigurt dhe cilësor me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët e saj.



Të tjera
Ja përse asnjëherë nuk duhet ta pastroni veshin me pastruese pambuku
Prattipati: Kosova ka lidhje të jashtëzakonshme dhe të forta me SHBA-në
Postimet në rrjetet sociale nxisin zilinë mes femrave