Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, po merr pjesë në Takimin Vjetor Koordinues (ACM 2025) që po mbahet në selinë e Bankës Kombëtare të Belgjikës në Bruksel.
“Konferenca mblodhi përfaqësues e lartë nga administratat tatimore dhe ministritë e financave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të fazës së III të Reformave Fiskale në Evropën Juglindore (2023-2026), një nismë e përbashkët e Departamentit të Çështjeve Fiskale të FMN- së (FDA), Komisionit Evropian (DG NEAR) dhe Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO)”, thuhet në njoftimin nga ATK-së.
Sipas këtij institucioni, gjatë konferencës, Murtezaj prezantoi përvojën e ATK-së në proceset e modernizimit, digjitalizimit dhe forcimit të kapaciteteve për mbledhjen efektive të të hyrave, si dhe angazhimin e institucionit në përmbushjen e prioriteteve të reformës fiskale.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të koordinimit me partnerët ndërkombëtarë për ndërtimin e një administrate tatimore efikase dhe transparente.
“Pjesëmarrja e ATK-së në këtë ngjarje të rëndësishme shënon një hap të mëtejshëm në drejtim të integrimit të praktikave të avancuara ndërkombëtare në sistemin tatimor të Kosovës, duke forcuar pozicionin e saj në platforma rajonale të politikës dhe administrimit fiskal”, thuhet më tej në njoftim.



Të tjera
Humbni peshë duke ngrënë dardha
Pas 100 vjetësh inteligjenca artificiale do ta sundojë botën
Përfundon numërimi i votave në katër komuna të Kosovës