Nga 9 deri më 13 korrik në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, do të mbahet kampionati i lojërave elektronike (Esports), raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Në garën e më të mirëve në lojërat e famshme elektronike “Counter Strike 2” dhe “Dota 2” e cila do të mbahet në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë do të marrin pjesë 24 shtete, meqë Serbia u tërhoq nga gara në prag të fillimit të saj.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmani, bëri të ditur se Kosova ka garantuar mjedis të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit.
“Nga 25 shtete, sot i kemi vetëm 24 për shkak të tërheqjes së Serbisë nga kampionati në momentet e fundit. Kosova ka garantuar mjedis të barabartë dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit. Është për të ardhur keq që institucionet e Serbisë nuk lejojnë që sportistët të marrin pjesë. Ky ka qenë vendim i politikave shtetërore të Serbisë”, tha Osmani.
Kryetari i Federatës Esports Kosova, Altin Preniqi, ka thënë se organizimi i Evropianit është historik për shtetin e Kosovës.
“Për pesë ditë Kosova do të jetë mikpritëse për Esports. Ky është një moment historik për Kosovën dhe një dëshmi për të treguar vlerat tona”, tha Preniqi.
Në konferencë folën edhe president i Federatës Evropiane të Esports (EEF), Karol Cagan, sekretari i përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Esporteve (IESF), Boban Totovski dhe lojtari i Kosovës, Flatron Halimi.
Kampionati Evropian në Esports është kualifikues për Botërorin 2026.
Të tjera
Manchesteri ngjyroset me të kaltër, City mposht bindshëm Unitedin
Barcelona me rezultat tenistik ndaj Valencias
Vuçiq sërish e angazhoi Radoiçiqin dhe anëtarët e organizatës së tij paramilitare në tubim