​Alternativa garon në gjashtë komuna në zgjedhjet lokale

Subjekti politik Alternativa do të garojë e vetme në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kjo parti do të sfidohet në gjashtë komuna, ndërkaq vetëm në tri prej tyre do t’i mësyjë postit të kryetarit, krahas listave për asamble komunale, raporton KosovaPress.

Alternativa në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare ka garuar në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Guxo.

Kryetarja e kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, në konferencë për media të martën, tha se Alternativa do të garojë për kryetar të komunës në Prishtinë, Gjakovë dhe Pejë, ndërkaq në Prizren, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut do të garojë vetëm në asamble komunale.

Përkitazi me këtë, ajo tha se për Mitrovicën e Jugut i bashkohen Lëvizjes Vetëvendosje në mbështetje të Faton Pecit nga Guxo për të parin e kësaj komune.

“Subjekti Alternativa do të garojë në gjashtë komuna të Republikës së Kosovës. Në të gjashtat do të kemi lista për asamble, ndërsa sipas krejt planifikimeve tona, në tri prej tyre do të kemi kandidatë për kryetarë të komunës. Alternativa do të garojë me listë për kandidatë për asamble në komunat në kryeqytet, në Prishtinë, në Gjakovë, në Pejë, në Prizren, në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut. Përderisa ne po flasim, gjithashtu jemi duke punuar dhe angazhuar në shtrirjen e subjektit tonë edhe në dy qendrat e mëdha të Republikës sonë – në komunën e Gjilanit dhe komunën e Ferizajt. Në tri nga komunat e lartpërmendura do të kemi kandidatë edhe për kryetarë të komunës… Alternativa i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje në mbështetje të kandidatit nga Partia Guxo për Komunën e Mitrovicës, z. Faton Peci, si kandidat për kryetar të komunës. Ne besojmë që kjo është një hap i mirë drejt stabilitetit të mëtutjeshëm për një pjesë të Republikës së Kosovës, në veçanti edhe për reflektimin në veprimet e ardhshme për katër komunat në veri”, tha ajo.

Kusari-Lila, në kuadër të tetë vjetorit të themelimit të Alternativës, shpalosi edhe objektivat partiake, ku mes tjerash theksoi synimin për anëtarësim në rrjetet liberale të partive rajonale dhe evropiane.

Kusari-Lila: Synojmë anëtarësimin në rrjetet liberale të partive rajonale dhe evropiane

“Sa i përket objektivave tona si subjekt, Alternativa tashmë është duke punuar në programin e saj edhe qeverisës, gjegjësisht duke i rifreskuar dhe ripozicionuar prioritetet të cilat kanë qenë të formuluara në programin në vitin 2019 dhe 2021. Ai program do të jetë shpejt pjesë edhe e diskutimit publik. Synojmë si parti liberale, si parti e qendrës që gjithashtu të kemi anëtarësimin edhe në rrjetet liberale, rajonale dhe evropiane, andaj vetëm kemi filluar hapat e parë të kontaktit me rrjetin rajonal dhe me rrjetin liberal evropian”, theksoi ajo.