Kriza humanitare në Rripin e Gazës ka arritur nivele alarmante, me një në pesë fëmijë në Qytetin e Gazës që vuajnë nga kequshqyerja, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).
Në një deklaratë të lëshuar të enjten, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-s, Philippe Lazzarini, tha se situata është aq e rëndë, saqë një koleg i tij në terren e përshkroi kështu: “Njerëzit në Gaza nuk janë as të vdekur as të gjallë, ata janë kufoma në këmbë.”
Sipas UNRWA-s, më shumë se 100 persona – shumica dërrmuese fëmijë – dyshohet se kanë vdekur nga uria, ndërsa rastet e kequshqyerjes po rriten me ritme të frikshme. Lazzarini bëri thirrje urgjente që Izraeli të lejojë akses të pakufizuar dhe të pandërprerë për ndihmat humanitare.
“Shumica e fëmijëve që ekipet tona po shohin janë të dobët, të pafuqishëm dhe në rrezik të lartë vdekjeje nëse nuk marrin trajtimin që u nevojitet urgjentisht,” tha ai. Ai shtoi gjithashtu se punonjësit e UNRWA-s po bien të fikët nga uria ndërsa janë në detyrë, duke paralajmëruar se i gjithë sistemi humanitar është në prag të kolapsit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) theksoi të mërkurën se një pjesë e madhe e popullsisë së Gazës është në proces “vdekjeje nga uria”. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi: “Nuk di si ta quash ndryshe përveçse uri masive – dhe ajo është e shkaktuar nga njeriu.”
Izraeli, i cili kontrollon hyrjen e furnizimeve në Gaza, mohon ekzistencën e një rrethimi dhe fajëson Hamasin për kequshqyerjen dhe kaosin pranë vendeve të ndihmave. Megjithatë, OKB-ja paralajmëron se niveli i ndihmave është “i pakët” dhe se kriza aktuale e urisë nuk ka pasur precedent.
Pas një bllokade të plotë në mars, shpërndarja e ndihmave u lehtësua pjesërisht, por mungesa e ushqimeve, karburantit dhe ilaçeve vazhdon të përkeqësohet. Së bashku me SHBA-në, Izraeli ka krijuar një sistem të ri shpërndarjeje ndihmash, të drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), por ndërhyrjet mbeten të kufizuara dhe shpesh të rrezikshme për civilët.



Të tjera
Mos e hiqni lëkurën e pulës, doktorët thonë se është e mirë për shëndetin
E gjithë familja në VV, Krasniqi në AAK: S’ia kam kthyer shpinën bacit Gani, jam krahu më i fortë i gjithë familjes
Dreshaj për koalicionet e 28 dhjetorit- Jo të natyrshme, dallojnë në mënyrë substanciale/ AAK-ja do të të përfaqësohet në mënyrë dinjitoze në Kuvend!