Vihet gurthemeli i QKMF-së së re në Kastriot, investim 2.7 milionë euro

Vihet gurthemeli i QKMF-së së re në Kastriot, investim 2.7 milionë euro

Në Kastriot është vënë sot gurthemeli i Qendrës së re Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), një projekt me vlerë prej 2.7 milionë euro, i cili synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e kësaj komune.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë edhe kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili theksoi rëndësinë e këtij investimi për komunitetin lokal, duke kujtuar se një projekt i tillë është pritur për gati tri dekada pas luftës, njofton Zyra për informim e Kryeministrit.

Kurti bëri të ditur se objekti i ri do të ketë infrastrukturë moderne dhe do të pajiset me teknologji bashkëkohore shëndetësore, duke krijuar kushte më të mira për stafin mjekësor dhe për pacientët.

Sipas tij, kujdesi parësor shëndetësor është porta e parë e sistemit shëndetësor, ku qytetarët marrin ndihmën, këshillën dhe mbështetjen e parë, andaj cilësia e këtij niveli ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien dhe besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.

Bëget e ditur se projekti parasheh ndërtimin e një objekti me sipërfaqe prej rreth 2250 metrash katrorë, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda dy vitesh, më së largu deri në fillimverën e vitit 2028.

Faza e parë e punimeve tashmë ka nisur dhe do të zgjasë rreth 90 ditë, me një vlerë prej rreth 370 mijë euro.

Kryeministri në detyrë theksoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar investimet në sektorin e shëndetësisë, me synimin për një sistem më të fortë, më cilësor dhe më të qasshëm për të gjithë qytetarët.