Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me ministrin e Irlandës për Çështje Evropiane dhe Mbrojtje, Thomas Byrne, ku temë kryesore ishin marrëdhëniet mes Kosovës dhe Irlandës, që ai i cilësoi si një partneritet në rritje, transmeton KosovaPost.
Në një postim në Facebook, Maqedonci bëri të ditur se me homologun irlandez patën “një bisedë konstruktive mbi marrëdhëniet e ngushta dhe përparimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës”.
Ai theksoi se ka njoftuar ministrin Byrne mbi përpjekjet e Kosovës në drejtim të integrimit në NATO.
“E njoftova Ministrin mbi përpjekjet tona për përmbushjen e çdo standardi të NATO-s, nga doktrinat e ndërtimit profesional të ushtarakëve e deri tek sistemet tona të armatimit plotësojnë kërkesat e kësaj aleance,” shkroi Maqedonci.
Ministri në detyrë gjithashtu theksoi qëndrimin e Kosovës në raport me Ukrainën dhe zhvillimet ne rajon.
“Mes tjerash theksova se Kosova mbetet e angazhuar për mbështetje të qartë ndaj luftës së drejtë të Ukrainës, dhe vazhdon të ruajë vigjilencën ndaj situatës në Ballkan, si shtet gjithmonë aleat i Irlandës në këtë pjesë të Evropës”, theksoi ai.
Maqedonci i shprehu falënderim ministrit Byrne për përkrahjen e Irlandës. “Shpreha falënderimin tim ndaj Ministrit Byrne për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës, sidomos për kontributin e trupave të tyre në kuadër të KFOR-it, në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë së vendit,” u shpreh Maqedonci.
Ai rikonfirmoi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. “Jemi të përkushtuar për të forcuar bashkëpunimin në fushën ushtarake, duke ndihmuar kështu në vazhdimin e lidhjeve tona. Bashkë, jemi më të fortë dhe më të sigurt!” përfundoi ai.



Të tjera
Majlinda Kelmendi refuzon ofertë të majme nga Emiratet Arabe
Mjetet piroteknike mund të kenë shkaktuar zjarrin në Zvicër
Nga UÇK, në FSK: Irfete Spahiu, gruaja e parë gjeneralmajore e Kosovës