Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Tërnava është pritur sot në takim nga kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Kryetari Nimanbegu e falënderoi Myftiun për vizitën dhe theksoi se aktualisht Ulqini është i mbushur me vizitorë nga Kosova.
“Vizita juaj në Ulqin është e një rëndësie të veçantë, sepse, siç dihet, ne kemi raporte të veçanta dhe lidhje të ngushta me Kosovën dhe qytetarët e saj”, tha ai.
Nimanbegu shtoi se Komuna ka bashkëpunim të frytshëm me Myftininë e Bashkësisë Islame në Ulqin, dhe shprehu shqetësimin e tij për migrimin në rritje të popullsisë nga këto treva.
Nga ana e tij, Myftiu Tërnava theksoi se Ulqini, për të dhe për qytetarët e Kosovës, është një vend i veçantë dhe me ndjesi të posaçme.
Ai shprehu gatishmërinë për të kontribuar në bashkëpunim me Myftininë në Ulqin në përgatitjen e kuadrove, mbështetjen me literaturë, si dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta.
“Duhet bërë më shumë në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e identitetit kombëtar dhe fetar. Duhet kushtuar rëndësi fillimisht ruajtjes së gjuhës, sepse gjuha është elementi më dallues i identitetit të një populli”, theksoi ai.



Të tjera
Këto zakone ua shkurtojnë jetën
Meda merr urim të veçantë për ditëlindje nga bashkëshortja
Daku mungon ndaj Polonisë, goditje për Shqipërinë në prag të play-offit