Kryeministri Mark Carney ka deklaruar se Kanadaja synon të njohë shtetin palestinez në shtator, duke u bërë vendi i tretë i G7-ës që bën një njoftim të tillë në ditët e fundit.
Carney sqaroi se ky vendim do të varet nga realizimi i reformave demokratike, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve nga Autoriteti Palestinez vitin e ardhshëm, pa pjesëmarrjen e Hamasit.
Deklarata e tij erdhi një ditë pas njoftimit të Mbretërisë së Bashkuar, e cila shprehu gatishmërinë për të njohur shtetin palestinez nëse Izraeli nuk pranon një armëpushim dhe kushte të tjera ndërsa një javë më parë, edhe Franca bëri publik një plan të ngjashëm.
Ministria e Jashtme e Izraelit e dënoi vendimin e mundshëm të Kanadasë, duke e cilësuar si “një shpërblim për Hamasin”. Aktualisht, 147 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e njohin zyrtarisht shtetin palestinez. Carney bëri të ditur se njohja zyrtare do të bëhet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të zhvillohet së shpejti.
Ai përmendi zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza dhe sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi si faktorë kyç në ndryshimin e politikës së jashtme të Kanadasë.
“Niveli i vuajtjeve njerëzore në Gaza është i patolerueshëm dhe po përkeqësohet me shpejtësi,” u shpreh Carney të mërkurën para gazetarëve. Ai theksoi se njohja e shtetësisë palestineze do të kushtëzohet me angazhimin e Autoritetit Palestinez për reforma të thella në qeverisje dhe demilitarizimin e territorit.
Kanadaja ka qenë përherë e përkushtuar ndaj një zgjidhjeje me dy shtete si pjesë e një procesi të negociuar paqeje, por Carney tha se “kjo qasje nuk është më e qëndrueshme.”
“Perspektiva e një shteti palestinez po gërryhet para syve tanë,” shtoi ai.
Carney tha se kishte zhvilluar një bisedë me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas më herët të mërkurën në lidhje me njoftimin. Autoriteti Palestinez kontrollon pjesë të Bregut Perëndimor përmes partisë Fatah, ndërsa Hamasi sundon Gazën. Në të dy territoret nuk janë mbajtur zgjedhje që nga viti 2006.
Njoftimi i Carney-t u kritikua nga Ministria e Jashtme izraelite, e cila në një postim në rrjetin X deklaroi se plani i Kanadasë “dëmton përpjekjet për një armëpushim në Gaza dhe për një kuadër për lirimin e pengjeve”.
Edhe Partia Konservatore në opozitë reagoi kundër vendimit.
“Njohja e një shteti palestinez pas mizorive terroriste të 7 tetorit i dërgon botës mesazhin e gabuar,” thuhej në deklaratën e tyre.
Kryeministri Carney është përballur me presion të shtuar për të adresuar çështjen e njohjes së shtetësisë palestineze, sidomos pas deklaratave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës, dy aleatë të ngushtë të Kanadasë. Rreth 200 ish-ambasadorë dhe diplomatë kanadezë nënshkruan një letër të martën, duke i bërë thirrje Carney-t të ndërmarrë këtë hap.
“Parimet e Kanadasë po braktisen çdo ditë përmes zhvendosjeve masive, bombardimeve pa dallim dhe urisë së civilëve palestinezë në Gaza, si dhe sulmeve të dhunshme nga kolonët ekstremistë në Bregun Perëndimor”, thuhej në letër.
I pyetur nëse ishte ndikuar nga njoftimet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës apo nëse kishte biseduar me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, Carney u përgjigj se Kanadaja merr vendime të pavarura për politikën e saj të jashtme.
Nëse Franca dhe Mbretëria e Bashkuar e njohin zyrtarisht shtetësinë palestineze, Shtetet e Bashkuara – aleatja më e ngushtë e Izraelit – do të mbeten i vetmi anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nuk e ka bërë këtë.
Izraeli nisi një ofensivë në Gaza në përgjigje të sulmit të 7 tetorit 2023 të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, ku mbetën të vrarë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng.
Që nga ajo kohë, mbi 60,000 persona janë vrarë në Gaza, dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi, 154 persona – përfshirë 89 fëmijë – kanë humbur jetën nga kequshqyerja.
Të tjera
Bllokohet propozimi i Cvijanoviqit për ta nominuar Trumpin për Çmimin Nobel
Opozita nuk është e interesuar për konstituim të Kuvendit
Policia gjen në Zveçan fletushka me thirrje për vendosjen e flamurit të Serbisë nëpër objekte