Të martën, policia ka zbuluar dhe sekuestruar armë dhe municion në një banesë në veri të Mitrovicës. Banesa në fjalë ishte e uzurpuar për më shumë se 25 vjet.
Sipas familjarëve, prona i përket familjes se mjekut të njohur, Shaqir Demiri dhe ka qenë e uzurpuar për vite me radhë nga një person serb, i cili, sipas tyre, nuk është parë që nga sulmi në Banjskë.
Kujtim Demiri, djali i mjekut, në një postim në Facebook, ka falënderuar Policinë për kthimin e pronës.
“Këto që i ka gjet e sekuestru Policia e Kosovës, janë gjet në pronën e familjes tonë në veri, që ka qenë e uzurpuar për 25 vjet nga krimineli famëkeq në veri Z.A. Sipas fqinjëve, thuhet se nga rasti i sulmit në Banjska – ky kriminel nuk është parë në qytet. Nga ajo kohë, sipas fqinjëve – gruaja e tij M.A. ka bartë sende nga aty, përveç këtyre që u gjeten. Sot, banesat ku kemi lindur unë e vëllau im, e ku jemi rritë – u liruan, uroj që sa më shpejtë të kthehemi të gjithë në pronat tona në veri”, ka njoftuar ai.
Ndryshe, Policia e Kosovës ditën e martë ka njoftuar se ka asistuar Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Vlerësim të Pronës (AKKVP), në rrugën “Lola Ribar”, në veri të Mitrovicës, konkretisht në një banesë e cila ishte e uzurpuar dhe e mbyllur (pa banorë) në të cilën janë gjetur armë dhe municion.
Sipas njoftimi bëhet e ditur se janë sekuestruar: 56 fishekë të kalibrave të ndryshëm, municion për pushkë ajrore, 1 optik për armë të gjatë, 1 kuti për mbushje të municionit, 1 fotrollë për pistoletë, 2 gaz-maska, 2 video-kamera dhe 1 video-kasetë e vogël, dokumente të ndryshme, 1 foto-aparat, 1 lexues (DVD), 1 vulë të rrumbullakët.
Po ashtu siç thuhet në njoftim në vijim të hetimeve Policia ka identifikuar bashkëshorten e personit i cili dyshohet se e kishte uzurpuar pronën e cila banonte në një banesë aty afër.
“Në bazë të dyshimeve është kontrolle edhe në banesën tjetër ku policia ka gjetur dhe sekuestruar: 1 pistoletë, 1 tytë e armës së shkurtë, 1 fishek, dhe 1 armë (e modifikuar, stilo-laps).
Lidhur me rastin është arrestuar e dyshuara M.A., 56 vjeç, e cila është intervistuar, dhe ndaj saj me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Pas intervistimit e dyshuar është liruar, ndërsa rasti procedohet në procedurë të rregull



Të tjera
Pëlqeni keçap apo salcë domateje, ky shkrimi do ju bëjë të ndryshoni shije
Nisni mëngjeset me qumësht të kombinuar me mjaltë
Gratë shtatzëna duhet të kenë kujdes nga ky veprim