Më shumë se 10.000 hotele në Evropë padisin “Bookingun”

Më shumë se 10.000 hotele në Evropë padisin “Bookingun”

Më shumë se 10.000 hotele në Evropë i janë bashkuar një padie kolektive kundër platformës së rezervimeve online “Booking”, duke argumentuar se kompania për vite me radhë ka kufizuar mundësinë e hotelierive për të ofruar çmime më të ulëta për shërbimet e tyre në kanale të tjera shitjeje, përcjell Kosova Post.

“Hotelieritë evropianë kanë vuajtur për vite me radhë nga kushtet e padrejta dhe kostot e tepërta. Tani është momenti të luftojmë së bashku për kompensim”, tha Aleksandros Vasilikos, kryetar i Shoqatës Evropiane të Industrisë Hoteliere “Hotrek”, e cila ka ngritur padinë kolektive.

Nga ana tjetër, organizata holandeze për mbrojtjen e konsumatorëve “Consumentenbond” ka paraqitur një padi masive paralele në emër të mysafirëve që potencialisht janë dëmtuar. Në javën e parë të paraqitjes, rreth 180.000 konsumatorë kanë shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar padisë.

Në korrik, kompania “Booking” me seli në Amsterdam i hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se beson që bëhet fjalë për një “interpretim të gabuar të vendimeve të mëparshme gjyqësore”.