Kurti: Ofruam dy kompromise, s’ka pasur hapa nga pala tjetër

Ofruam dy kompromise, s’ka pasur hapa nga pala tjetër

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se sipas tij, ka ofruar kompromiset e tij për formimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë.

“Ne kemi ofruar dy kompromise, i pari ka qenë që në rastin e votimit të fshehtë, nëse nuk zgjedhet me të parin kandidatja Albulena Haxhiu, atëherë do të sjellim emër tjetër. Kompromisi i dytë ka qenë që të merremi vesh për paketën ku bën pjesë kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe më pastaj të kthehemi te votimi i hapur. Ne kemi bërë hapa, nuk ka pasur hapa nga pala tjetër dhe të mos harrojmë që Gjykata Kushtetuese kur me aktgjykimin paraprak na pati thënë që me pikën e veçantë se marrëveshjet politike duhet të arrihen ndërmjet grupeve parlamentare, sepse mosmarrëveshjet nuk i zgjidh gjykata, menjëherë partitë opozitare dërguan sërish lëndë”, ka thënë Kurti, raporton RTKlive.

Ai në përurimin e shërbimit të hemodializës në Podujevë, ka thënë se ishin dy partitë opozitare PDK dhe LDK që pavarësisht kërkesës për gjetjen e një zgjidhje politike, sërish iu referuan Gjykatës Kushtetuese.

“Kosova është stabile, po përparon por nuk ka Kuvend”, tha shkurt ai, duke përmendur sipas tij, rritjen ekonomike në vend.