Turqia: Vendet myslimane të bashkohen kundër planit të Izraelit për ta marrë nën kontroll Gazën

Vendet myslimane të bashkohen kundër planit të Izraelit për ta marrë nën kontroll Gazën

Vendet myslimane duhet patjetër të veprojnë të bashkuara dhe ta kundërshtojnë planin e Izraelit për ta marrë nën kontroll Qytetin e Gazës, tha të shtunën ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, pas bisedimeve në Egjipt.

Fuqitë rajonale, Egjipti dhe Turqia, e dënuan planin e Izraelit të premten.

Ankaraja tha se kjo shënon një fazë e re në atë që e quajti politikë “gjenocidale dhe ekspansioniste” të Izraelit, duke bërë thirrje për masa globale për të ndaluar zbatimin e tij.

Izraeli e mohon këtë përshkrim të veprimeve të tij në Gazë.

 

 

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në El Alamein me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty, pas një takimi edhe me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, Fidan tha se Organizata për Bashkëpunim Islamik (OIC) ishte thirrur në një mbledhje urgjente.

Fidan tha se politika e Izraelit synon t’i detyrojë palestinezët të largohen nga tokat e tyre përmes urisë dhe ta pushtojë përgjithmonë Gazën, duke shtuar vendet nuk e kanë më asnjë arsye për ta vazhduar mbështetjen e Izraelit.

Izraeli e mohon se synon shkaktimin e krizës së urisë në Gazë dhe thotë se grupi militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – mund t’i japë fund luftës duke u dorëzuar.

“Ajo që po ndodh sot është një zhvillim shumë i rrezikshëm… jo vetëm për popullin palestinez apo vendet fqinje”, tha Abdelatty, duke shtuar se planet e Izraelit janë “të papranueshme”.

Abdelatty tha se ka pajtueshmëri të plotë me Turqinë për çështjen e Gazës dhe iu referua një deklarate të publikuar të shtunën nga Komiteti Ministror i OIC, i cili dënoi planin e Izraelit.

Komiteti i OIC-it tha se plani i Izraelit përbën “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm, një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një përpjekje për të forcuar pushtimin e paligjshëm”, duke paralajmëruar se ai do të “shkatërrojë çdo mundësi për paqe”.

Ekipet ndërmjetësuese nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar prej muajsh për të arritur një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.

OIC u bëri thirrje fuqive botërore dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që “të marrin përgjegjësitë e tyre ligjore dhe humanitare dhe të ndërmarrin veprime urgjente për të ndaluar” planin e Izraelit për Qytetin e Gazës, duke siguruar njëkohësisht përgjegjësinë e menjëhershme për atë që e quajti shkelje të ligjit ndërkombëtar nga Izraeli./REL