Haxhiu kadetëve të rinj të FSK-së: Shërbeni me krenari dhe përulje ndaj sakrificës për Kosovën

Haxhiu kadetëve të rinj të FSK-së: Shërbeni me krenari dhe përulje ndaj sakrificës për Kosovën

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerata 2026, e cila është mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Duke iu drejtuar kadetëve të diplomuar, Haxhiu ka thënë se kjo ditë shënon një moment të rëndësishëm në jetën e tyre profesionale dhe personale.

“Kjo ditë u përket para së gjithash juve, kadetë të Klasës 2026. U përket familjeve tuaja… I përket Akademisë, që ju ka formuar, dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot merr në radhët e saj oficerë të rinj,” është shprehur ajo.

Ajo ka theksuar se diplomimi shënon përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm dhe fillimin e përgjegjësisë si oficerë të shtetit.

“Me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis përgjegjësia e shërbimit si oficerë të Republikës,” ka thënë Haxhiu.

Duke folur për procesin e formimit të kadetëve gjatë katër viteve të fundit, ajo vlerësoi disiplinën dhe përgatitjen e tyre akademike e ushtarake.

“Gjatë këtyre viteve ndoqët programin e integruar akademik dhe ushtarak… Formimi që keni marrë ju ka dhënë dije, disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri,” ka theksuar ajo.

Haxhiu u ndal edhe te rëndësia e karakterit në ushtrimin e detyrës ushtarake, duke theksuar se grada ka vlerë vetëm kur shoqërohet me integritet.

“Grada do të vendoset mbi supet tuaja, por pesha e saj do të matet në karakterin tuaj,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se “njerëzit mund ta respektojnë gradën, por e ndjekin vetëm karakterin.”

Në fjalimin e saj, ajo ka përmendur edhe sfidat globale të sigurisë, duke theksuar se bota po përballet me kërcënime të reja.

“Ju po diplomoni në një kohë kur siguria ndërkombëtare po përballet me sfida të reja… Konfliktet, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike dhe dezinformimi na kujtojnë se paqja ruhet me përgatitje dhe vigjilencë,” ka shtuar Haxhiu.

Ajo ka nënvizuar se detyra e FSK-së është mbrojtja e shtetit dhe qytetarëve.

“Përgjegjësia juaj është shumë më e madhe, duke filluar nga mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sigurisë së qytetarëve,” ka nënvizuar ajo.

Duke folur për historinë e Kosovës, Haxhiu përmendi edhe sakrificën për liri.

“Republika nuk është dhuratë. Ajo u ngrit mbi përpjekjen shekullore për liri… Heroizmi i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrifica e familjes Jashari mbeten simbol i lirisë dhe vendosmërisë së popullit tonë,” është shprehur Haxhiu.

Ajo ka shtuar  se Kosova mbetet e orientuar drejt integrimit euroatlantik dhe anëtarësimit në NATO.

“Synimi ynë strategjik mbetet i pandryshuar. Republika e Kosovës i takon familjes euroatlantike dhe anëtarësimi ynë në NATO është objektiv shtetëror dhe interes strategjik,” ka theksuar Haxhiu.

Në fund të fjalimit, ajo u bëri thirrje kadetëve që të shërbejnë me përgjegjësi dhe integritet.

“Nga sot, çdo vendim që do të merrni do të bartë përgjegjësi… Prandaj, shërbeni gjithmonë me nder, udhëhiqni me urtësi dhe qëndroni besnikë ndaj betimit që do ta bëni sot,” ka përfunduar ajo