Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar pas seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku për herë të dytë nuk u votua për kryetar të Kuvendit. Ai vetë ishte propozuar më herët për këtë pozitë, por nuk mori përkrahjen e nevojshme dhe këtë herë nuk ishte kandidat.
Murati tha se opozita po vazhdon ta mbajë të bllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit, pavarësisht që Vetëvendosje ka bërë lëshime për të gjetur një zgjidhje.
“E patë sot – ju hoq peta lakrorit dhe u dëshmua që kjo opozitë po e mban Kuvendin e bllokuar,” tha Murati, duke iu referuar faktit që në seancë u votua një kandidat i ri dhe jo ai vetë.
Sipas tij, qëllimi i opozitës është i qartë – bllokimi i krijimit të institucioneve, sepse nuk janë në gjendje ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.
“Na kërkuan ta ndryshojmë kandidatin – e ndryshuam. Kërkuan kandidat që nuk ishte pjesë e qeverisë – e bëmë edhe atë. Dhe e pamë që këtu nuk është problemi,” shtoi ai.
Murati gjithashtu theksoi se nëse do të ishte lejuar votim i fshehtë, do të kishte pasur më shumë vota nga opozita për kandidatin e propozuar nga Vetëvendosje.
“E patë që ka deputetë nga opozita që, po t’u jepej mundësia për votim të fshehtë, do të ishin shumë më shumë se këta dy që votuan sot,” tha Murati.
Të tjera
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënën
Kosova po fuqizon industrinë e mbrojtjes, duhet anëtarësim në NATO
Kryetari i Zveçanit urdhëron heqjen e fotografisë së Ratko Mlladiqit nga muret e qytetit