Ish-kryetari i Gjykatës, Kadri Kryeziu, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Avdullah Hoti në RTK, i cili kishte thënë se LDK nuk kishte marrë pjesë në votimin për nënkryetarët nga pakicat për shkak të shkeljes së Kushtetutës nga Kryetari i Kuvendit.
Kryeziu thekson se vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencë të konstatojë shkeljet kushtetuese dhe se deputetët nuk mund të refuzojnë detyrat e tyre parlamentare duke pretenduar shkelje.
Ai kritikon praktikat e mospjesëmarrjes në votime si akt rebelimi dhe paralajmëron për krijimin e precedentëve të rrezikshëm për shtetin.
Shkrimi i plotë:
Në RTK, para disa ditësh, ish Kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar që LDK nuk ka marr pjesë në votim për zgjedhjen e nënkryetarëve nga pakicat, sepse, sipas tij, Kryetari i Kuvendit e ka shkelur kushtetutën në momentin që ka ndarë votimin për dy nënkryetarët që u takojnë pakicave.
Çka po i duket vetja këtij njeriu? A është zotëria vetëm deputet apo edhe Gjykatë Kushtetuese?
Partitë politike, deputetët veç e veç, si grupe parlamentare, por edhe të 120 deputetët bashkë, nuk janë Gjykatë Kushtetuese. Shkeljet kushtetuese përfshirë edhe mosrespektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese i konstaton Gjykata Kushtetuese dhe me këto gjëra merret vetëm Gjykata Kushtetuese.
A duhet të shkelet kushtetuta?
Por a shkelet kushtetuta?
Po, dhe atë tërë kohën. Dhe kjo gjë nuk është fundi i botës, sepse ka shkelje e shkelje.
Tani, merrni frymë thellë dhe dëgjojeni me kujdes Profën.
Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë penale dhe nuk ka fuqi të dënojë njerëz, nuk mund ta çojë kënd në burg dhe nuk ka fuqi as ta shkarkojë dikë.
Gjykata Kushtetuese ka fuqi vetëm të shfuqizojë akte të caktuara ligjore, ose pjesë të veçanta të këtyre akteve. Me akte të caktuara ligjore nënkuptohen të gjitha vendimet me fuqi ligjore të të gjitha organeve të shtetit, përfshirë edhe vendimet e gjykatave të rregullta.
Pos kësaj, Gjykata Kushtetuese mund të bëjë konstatime nëse veprime të caktuara, qoftë gjatë nxjerrjes së një akti ligjor ose çfarëdo tjetër, përbëjnë veprime jo në harmoni me kushtetutën apo edhe shkelje të rënda të kushtetutës.
Të parat janë shkelje të rëndomta, le t’i quajmë teknike, që vinë si pasojë e interpretimit jo të drejtë të normës, ndërkaq shkeljet serioze të kushtetutës janë akte të rënda, ku zyrtari i shtetit, përballë një norme të qartë kushtetuese dhe tërësisht i vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të veta, e cenon rëndë ose e përmbys rendin kushtetues.
Edhe në rastet e shkeljeve të rënda, Gjykata Kushtetuese nuk ka fuqi as të dënojë e as të shkarkojë. Nëse për shembull Presidenti kryen një akt me synimin që ta instalojë veten si diktator, dhe kjo gjë konstatohet nga Gjykata Kushtetuese, mbi bazën e këtij konstatimi procedura e shkarkimit ndodh në Kuvend.
Le ta thjeshtëzojmë pak.
Gjykata Kushtetuese konstatoi që Avni Dehari e ka keq lexuar aktgjykimin e 26 qershorit 2025. Por hajt, për t’ua bërë qejfin disave po pajtohem edhe unë që Avni Dehari e paska shkelur kushtetutën 50 e kusur herë. Le të më tregojë dikush çka ndodhi pastaj? A erdhi policia ta lidh Avni Deharin? A u shkarkua Avni Dehari nga roli i tij si kryesues? A ju morr mandati si deputet? A ju prish ndopak terezia e jetës Avni Deharit?
Duke krrokatur gjithsecili “shkelje, mos se shkelje, e qysh me e shkel, po thu me e shkel kushtetetën a”, jemi kthyer në një shoqëri idiotësh, ndërkaq klasa jonë politike dhe zyrtarët publikë në një kope hamshorësh krenarë por të tredhur, pa guxim të marrin vendime.
Kjo është skandaloze dhe është uverturë drejt një shteti që edhe mund të dështojë si rezultat i paaftësisë për të menaxhuar proceset.
Zyrtarët publik duhet të marrin vendime edhe kur ekzistojnë interpretime kontradiktore mbi atë çka thotë kushtetuta. Zyrtarët publik, e sidomos deputetët nuk guxojnë të refuzojnë të ushtrojnë detyrën dhe funksionin e vet kushtetues.
Nëse një grup deputetësh mendon që një vendim procedural i Kryetarit të Kuvendit është në shkelje të kushtetutës apo rregullores ata abstenojnë ose votojnë kundër. Pas përmbylljes së procesit, deputetët i drejtohen Gjykatës duke e sfiduar vendimin konkret.
Mospjesëmarrja në votim është akt rebelimi, sepse përbën refuzim për të kryer detyrat dhe përgjegjësit kushtetuese. Është absurd që deputetët t’i drejtohen Gjykatës që t’ua zgjidhë mospajtimin rreth interpretimit të procedurave. Gjykata nuk është organ këshillues, Gjykata është organ korrektues. Nëse gjatë marrjes së një vendimi, një procedurë e caktuar është zhvilluar gabim Gjykata e shfuqizon vendimin dhe duke konstatuar gabimet në procedurë e korrekton sjelljen procedurale, gjegjësisht e qartëson procedurën.
Aman, bëhuni më serioz e mos krijoni precedentë të këqija, mos se e çuat dëm këtë shtet.
Të tjera
KFOR-i gjerman trajnohet për identifikimin dhe ndjekjen e dronëve
Gruaja myslimane me origjinë pakistaneze emërohet sekretare e re britanike për migracionin
Kosova është në rrugën e duhur drejt organizatave evropiane dhe euroatlantike