Edhe pse kanë kaluar dy javë e tepër, Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka identifikuar anëtarët e tifo-grupit “Çkembari” që në një ndeshje futbolli mes Pelisterit dhe Shkupit kërkuan Maqedoni të pastër dhe vdekje të shqiptarëve. Nga MPB-ja thonë se për rastin e ndodhur më 25 gusht për të cilën ka edhe video-pamje ende nuk ka asnjë person të arrestuar.
Duke u përgjigjur në pyetjet e TV Shenja nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë deklaruar se tifozët e Pelisterit në atë ndeshje kanë bërë shkelje të nenit 3, paragrafi 1, pika 3 të Ligjit për Parandalimin e Sjelljeve Dhunshme dhe të Papranueshme.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Sektori për Punë të Brendshme Kavadar ka dorëzuar kërkesë për lëshimin e një Urdhëri nga Prokuroria Publike për marrjen e pamjeve video nga ndeshja e futbollit, dhe pas marrjes së pamjeve video do të bëhet identifikimi i anëtarëve të grupit të tifozëve, ‘Çkembari’. Kundër organizatorit të ndeshjes, pas dokumentimit të të gjithë ngjarjes, do të ngrihet kallëzim për shkelje sipas Ligjit për Parandalimin e Sjelljeve Dhunshme dhe të Papranueshme në Ngjarjet Sportive”.
Nga MPB-ja njoftojnë se veprojnë në vazhdimsi në mënyrë represive për të parandaluar dukuri të tilla devijante, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht apelon tek të gjithë qytetarët dhe anëtarët e grupeve të tifozëve që të mbështesin klubet e tyre sportive, por të inkurajojnë në mënyrë sportive, ekskluzivisht në frymën e sportit, pa përhapur fjalor urrejtjeje, pa ofenduar individë për përkatësinë e tyre personale, etnike, fetare ose për çdo përkatësi tjetër që nuk përkon me natyrën e ngjarjeve sportive dhe është në kundërshtim me ligjin”.
Kjo nuk është hera e parë që tifozët maqedonas kërkojnë vdekjen e shqiptarëve përmes koreve në shkallët e stadiumit. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në Kumanovë, në ndeshje basketbolli në sy të kryeministri Mickoski, ministrit Toshkovski dhe zyrtarëve të tjerë të Qeverisë.



Të tjera
Si përdoret botoksi për trajtim?
Top dhjetë produktet më të importuara dhe eksportuara në 2025
Krasniqi e Balaj për LDK-në / Demokraci e brendshme, por krizë strukturore dhe ideore (VIDEO)