Pesë parti politike shqiptare që janë pjesë e koalicionit qeveritar, u bashkuan zyrtarisht në një subjekt të vetëm politik.
Për herë të parë në historinë e pluralizmit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut në krye të partisë VLEN do të ketë dy kryetarë, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.
Në kongresin ku u vendos bashkimi i partive të koalicionit u tha se VLEN u shndërrua në parti të vetme, në shtëpi të përbashkët politike, në forcë që bashkohet rreth një vizioni për të ardhmen, ku vendimmarrja nuk do të varet nga një lider i vetëm.
Kulturë e re politike
Bashkëkryetari i partisë VLEN, Izet Mexhiti, tha se kjo parti do të ndjekë një model të ri funksionimi, duke u distancuar nga mitizimi i liderëve politikë. Modeli që po ndjek VLEN është i ngjashëm me sistemet evropiane, ku fuqia nuk përqendrohet te individi, por te ekipi drejtues.
“VLEN po sjell një frymë të re demokratike në këtë nën qiell duke mos u bazuar te individi, fuqia është te e gjithë udhëheqësia e VLEN-it dhe jo e përqëndruar te një individ. Nuk është model që e kemi shpikur, është model që funksionon me sukses në shtetet europiane. Për herë të parë pas shumë vitesh shqiptarët po e ndejnë se pesha e votës së tyre, po kthehet në peshë të vërtetë politike, në përfaqësim të vërtetë, në forcë vendimmarrëse, dhe kjo është arsyeja se pse ky bashkim ka rëndësi historike. Dy kryetarët do ta udhëheqin këtë parti, jo si ndarje, por si balancë, jo si kompromis por si garanci, se askush nuk është mbi vullnetin e përbashkët brenda VLEN-it” , tha bashkëkryetari i posazgjedhur Izet Mexhiti.
Jo politikës që jeton nga zënkat
VLEN nuk do të jetë thjesht bashkim partish, nëse mbetet vetëm kaq, atëherë nuk kemi bërë asgjë, tha bashkëkryetari tjetër Bilall Kasami. VLEN do të jetë kulturë e re politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo do të jetë më e qetë, serioze, më institucionale dhe e përgjegjshme ndaj qytetarit. Sipas Bilall Kasamit, shqiptarët nuk kanë nevojë për politikë që jeton nga zënkat, shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat.
“Ne besojmë tek familja si vendin e parë ku njeriu mëson besimin, përgjegjësinë dhe dashurinë për tjetrin. Besojmë te puna e ndershme, te njeriu që ngrihet herët për ta mbajtur familjen e vet, te sipërmarrësi që rrezikon, krijon dhe nuk pret gjithçka nga shteti. Besojmë në identitetin tonë, në gjuhën, në kulturën, në besimin dhe në ato vlera shpirtërore që na kanë mbajtur bashkë edhe në kohët kur kemi pasur pak mundësi, por shumë dinjitet. Ne besojmë në një shtet modern, në institucione që funksionojnë, në administratë profesionale, në drejtësi që është e barabartë për të gjithë, jo nënë për dikë e njerkë për dikë tjetër”, tha bashkëkryetari i VLEN Bilall Kasami.
Kurti: VLEN dëshmoi përgjegjësi politike
I panishëm në Kongresin e VLEN-it në Shkup ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Bashkimin e pesë subjekteve politike shqiptare Kurti e vlerësoi si peshë të veçantë politike dhe shoqërore.
“Ne jemi mësuar që në politikë shumë shpesh të shohim ndarje, copëtime politike në formacione të reja. Prandaj është shumë më e rrallë dhe domethënëse kur disa subjekte të ndryshme arrijnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik. Kjo përveç se dëshmon përgjegjësinë politike, përbën një model të ri bashkëpunimi për organizmat politikë që veprojnë në rajon”, tha Kurti.
VLEN zgjodhi me shumicën e votash edhe dy nënkryetarët e partisë: Bekim Çoku dhe Mimoza Musa, ndërsa Sekretar i Përgjithshëm i partisë u zgjodh Bekim Sali./DW


Të tjera
Koalicioni VLEN shndërrohet në një parti të vetme
Muja: Pezullohet përdorimi i vajit te palës dhe qumështit pluhur në sektorin e qumshtit
Veturat e duhanpirësve do të shiten dy mijë funta më pak