Serbia po e përdor çështjen e Kosovës si mjet për të avancuar interesat e saj politike në skenën ndërkombëtare, veçanërisht për të justifikuar afrimin strategjik me Kinën, vlerësojnë analistët pas vizitës së fundit të presidentit Aleksandar Vuçiq në Pekin.
Gjatë një takimi me presidentin kinez Xi Jinping, Vuçiq deklaroi se Kina mund të ofrojë ndihmë edhe në planin politik lidhur me Kosovën. “Foluam edhe për bashkëpunimin ushtarak, për çështje gjeopolitike dhe për investimet kineze. Kërkova më shumë vende pune për qytetarët tanë dhe presidenti Xi më tha se ekspertët e tyre tashmë po punojnë për këtë. Mund të presim ndihmë edhe në planin politik për Kosovën”, deklaroi Vuçiq pas takimit, raporton Danas
Por, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, këto deklarata janë pjesë e një strategjie të mirëmenduar për ta përdorur Kosovën si temë mobilizuese në politikën e jashtme të Serbisë.
“Potencimi i rolit të Kinës në çështjen e Kosovës është simbolik dhe shërben për të legjitimuar afrimin e Serbisë me Pekinin,” vlerëson Dragoslav Rasheta, hulumtues i iniciativës “Rruga e Re e Tretë”. Ai shton se “e vetmja ndihmë reale që Kina mund t’i ofrojë Serbisë është e drejta e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, por edhe ajo nuk ka ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin aktual të dialogut Kosovë–Serbi.
Rasheta thekson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe më parë ishte i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Serbia nuk llogarit realisht në Kinën për këtë proces, por përfiton politikisht përmes përkrahjes së saj për qëndrimet kineze ndaj Tajvanit dhe përfshirjes në projektin e ‘komunitetit të së ardhmes së përbashkët’ që promovon Pekini,” thekson ai.
Milan Igrutinoviq, bashkëpunëtor shkencor në Institutin për Studime Evropiane, i cilëson deklaratat për ndihmë nga Kina si “rituale diplomatike”, që kanë për qëllim forcimin e marrëdhënieve politike mes dy vendeve, por që “nuk sjellin ndikim konkret në terren, sidomos në procesin e dialogut me Kosovën”.
Sipas tij, kjo është një taktikë e njohur e Beogradit për të balancuar ndikimin perëndimor me atë lindor, duke përdorur Kosovën si kartë politike për të tërhequr mbështetje ndërkombëtare dhe për të legjitimuar aleanca që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me zgjidhjen e çështjes.
Të tjera
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Kush fitoi dhe ku?
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut – këta janë fituesit në komunat shqiptare!
Heroizëm shqiptar në Zvicër: Tre bashkatdhetarë shpëtojnë një grua, nderohen nga ushtria zvicerane!