Policia e Kosovës ka sekuestruar një veturë me targa të Serbisë që posedonte pajisje të kundërligjshme monitoruese në Mitrovicën e Veriut, pas një operacioni të zhvilluar më 5 shtator 2025 në rrugën “Knjaz Milos”.
Automjeti i tipit Škoda Octavia, ngjyrë hiri, u gjet i parkuar me dy kamera profesionale dhe pajisje GPRS të montuara. Vetura u dërgua në stacionin policor në Mitrovicë e Veriut, ku pas verifikimeve rezultoi se kishte hyrë në Kosovë në vitin 2022 dhe kishte qëndruar në kundërshtim me Ligjin për Automjete (05/L-132, neni 41), i cili lejon përdorimin e automjeteve me targa të huaja vetëm deri në tre muaj, noton policia .
Hetimet e mëtejshme, sipas policisë zbuluan se vetura i përkiste “Narodna Banka Srbije”, e përdorur më herët për transportimin e parave nga Serbia në Kosovë.
Gjatë kontrollit të detajuar, policia gjeti pajisje shtesë: dy kamera, një DVR dhe një ekran monitorimi, të cilat ishin të vendosura në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Privatësinë (06/L-082). Për këtë arsye, në vendngjarje u ftuar Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila konfiskoi pajisjet për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka rikujtuar qytetarët se: “Vendosja e kamerave apo pajisjeve të ngjashme në automjete ose hapësira private pa autorizim dhe pa sinjalizim është e ndaluar dhe përbën shkelje të privatësisë”.
Sipas Policisë, posedimi dhe qarkullimi i automjeteve me targa të huaja lejohet vetëm brenda afateve ligjore, ndërsa tejkalimi i tyre konsiderohet i kundërligjshëm dhe sjell masa ligjore, përfshirë konfiskimin.
Policia apelon tek qytetarët që të respektojnë ligjet në fuqi dhe paralajmëron se çdo shkelje do të ndëshkohet sipas dispozitave ligjore.
Të tjera
Rikthehet “Prishtina Parking”, nga nesër parkimi me pagesë
21-vjeçari godet me veturë 5 persona në parkun e Vitisë, njëri në gjendje të rëndë
Osmani dorëzon sot në Kushtetuese komentet për konstituimin e Kuvendit