Në mesnatë mbyllet zyrtarisht afati për një kategori specifike të garuesve për zgjedhjet e 7 qershorit, ku kanë mundësi regjistrimi subjektet e reja, kandidatët e pavarur dhe koalicionet që kërkojnë certifikim për herë të parë. Deri në këto momente, KQZ ka pranuar aplikime për 3 koalicione, një nismë qytetare dhe një kandidat të pavarur.
Afati për të gjitha subjektet e certifikuara për të dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë përmbyllet më 12 maj. Regjistrimi për votuesit jashtë Kosovës mbetet i hapur deri më 17 maj.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka konfirmuar për transmetuesin publik se deri në orën 19:00, KQZ ka pranuar aplikimin për certifikim nga 3 koalicionet e formuara në këto zgjedhje, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Mes subjekteve të reja që kanë paraqitur aplikim për certifikim janë koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, i përbërë nga partitë politike Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane; koalicioni Vakat, i përbërë nga tri subjekte politike; koalicioni Ashkalitë e Bashkuar, i përbërë nga Partia e Ashkalinjve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjve dhe Lëvizja për Bashkëveprim; nisma qytetare “Të bashkuar fitojmë”, si dhe një kandidat i pavarur.
Pos aplikimit për certifikim nga 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, deri më tani pjesëmarrjen në zgjedhje e kanë konfirmuar 22 parti politike dhe 3 koalicione të përbëra nga 9 parti politike.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj aplikimi për certifikim, i cili do të përmbyllet në mesnatë, vlen vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ka nënvizuar zëdhënësi i KQZ-së.
Ndërkaq, dy ditë më pas, më 12 maj, KQZ ka njoftuar se do të përmbyllet afati 11-ditor për të gjitha subjektet e reja politike dhe partitë politike për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë.
Ndërkohë, regjistrimi për votuesit jashtë Kosovës mbetet i hapur deri më 17 maj.



Të tjera
Gonxhe Halimi nga Gjilani diplomon si studente e dalluar në SHBA për shkencat kompjuterike
Largoni gurët nga veshkat për 10 ditë, vetëm me një përbërës
Qumështorja Drena kërkon mbështetje për prodhimin vendor