Kurti promovon `Programin e Kuponave` për edukim të hershëm

Kurti promovon `Programin e Kuponave` për edukim të hershëm

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar sot Programin e Kuponave për edukimin në fëmijërinë e hershme, duke theksuar se ky është një hap drejt barazisë sociale dhe mbështetjes së familjeve në nevojë, përcjell KosovaPost.

“Qasja e barabartë e fëmijëve në edukim të hershëm është themeli për një shoqëri të barabartë! Qeveria jonë po i mbulon shpenzimet e pagesës dhe transportin për çerdhe për familjet përfituese të Skemës së Asistencës Sociale që kanë fëmijë 3 deri 5 vjeç, në komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës, Prizrenit, Ferizajt, Lipjanit, Gjilanit, Pejës, Gjakovës, Mitrovicës, Vushtrrisë, Graçanicës, Drenasit, Shtimes, Suharekës dhe Klinës. Ky është edhe një tjetër lehtësim për prindërit, dhe një tjetër mbështetje për familjet”, ka shkruar Kurti.

Programi, i lansuar ditë më parë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), parasheh që fëmijët e familjeve përfituese nga asistenca sociale të ndjekin kopshtet private të licencuara, pa asnjë kosto për prindërit, për vitin shkollor 2025/26.

Fletushka informuese e MAShTI-t thekson se përmes këtij programi fëmijët fitojnë përgatitje më të mirë për shkollë, ndërtojnë vetëbesimin dhe socializimin, ndërsa prindërve u krijohet mundësi shtesë për punë dhe kohë me familjen.

Afati i aplikimit online është i hapur deri më 21 shtator përmes platformës e-Kosova: http://ekosova.rks-gov.net/596