Osmani: Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti

Po synohet që për një nënkryetar të bllokohet shteti

Presidentja Vjosa Osmani pas dorëzimit të komenteve në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se për pozitën e nënkryetarit po bllokohet shteti.

“Po synohet që për një nënkryetar, të bllokohet shteti në tërësi sepse një shtet pa institucione është shtet i dështuar”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Ajo ka thënë se “bllokimi i konstituimit për shkak të moszgjedhjes së një kryetari, do ta cenonte në mënyrë serioze jo vetëm funksionalitetin institucional, por edhe vlerat dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar Republika”.

“Për ne ai pozicion e cila i takon komunitetit serb, mbetet për ta dhe askund s’do ta zë atë vend. Ai vend do të mbetet i zbrazët, thjesht do të plotësohet në një seancë të radhës pa bllokuar procesin e konstituimit”, ka deklaruar Osmani.

“Prandaj në kushtet ku bllokohet konstituimi i Kuvendit për një nënkryetar të vetëm përkundër faktit që Kryesia ka kuorum të mjaftueshëm dhe ka kryetar, dhe kur deputetët kanë kryer betimin, në ato momente pamundësohet përfaqësimi legjitim i qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues edhe ushtrimi i sovranitetit”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se me të drejtat e komuniteteve nuk mund të abuzohet në një mënyrë që të shkelet edhe vet qëllimi i tyre.

“Është vlerësimi i yni që ushtrimi i kësaj të drejte, nëpërmjet së cilës po pretendohet të bllokohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, cenon të drejtat e të gjithë deputetëve duke ua mohuar ushtrimin e funksionit të tyre në një Kuvend të konstituuar dhe cenon të drejtat e të gjithë qytetarëve pa dallim etnie”, ka thënë presidentja.

“Nuk është hera e parë që Lista Serbe është larguar nga institucionet, por kjo nuk e ka bllokuar shtetin, sepse shteti duhet të ecë përpara. Ne kemi kërkuar nga Kushtetuesja që të mos lejojë që kushdo të ketë të drejtën e vetos mbi proceset jetike të shtetit. Veto mbi republikën nuk ka qenë asnjëherë qëllim i hartuesve e themeluesve të Kushtetutës. Duke ia dhënë një veto të tillë një partie që përfaqëson një komunitet, Republika do të zhvleftësohej në  një copë letre në vend se të ishte në veprim të mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Është në duart e kësaj Gjykate ta mbrojë shtetin”, ka thënë ajo.

Osmani më tej tha se sikurse e përcakton Kushtetuesja, roli i presidentit është të garantojë sigurinë dhe funksionimin institucional.