Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet as në tentativën e 20-të

Si PDK, LDK dhe AAK i dhanë vulë Listës Serbe

 

Shkruan: Besa Nuredini

Kosova sot gjendet përballë një ngërçi institucional të paprecedent. Vendimi i përkohshëm i Gjykatës Kushtetuese për të bllokuar punën e Kuvendit e ka vënë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve dhe vetë parimin kushtetues të një shteti unitar, demokratik dhe multietnik. Në vend që të jetë mbrojtëse e Kushtetutës, Gjykata po shihet nga qytetarët si mjet i opozitës për ta shndërruar Listën Serbe në faktor vendimtar në jetën politike të vendit.

Rasti i Nenad Rashiq është shembulli më i qartë i këtij bllokimi.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe fitoi 9 nga 10 vendet e rezervuara në Kuvend. Rashiq, një deputet i pavarur dhe i vetmi nga komuniteti serb që e njeh Kosovën si shtet sovran, u propozua për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.
Por, tri herë me radhë, PDK, LDK dhe AAK ose abstenuan ose nuk morën pjesë në votim. Ky veprim nuk ishte neutral, por një përkrahje e heshtur për Listën Serbe, duke e mbajtur peng Rashiqin dhe duke e forcuar partinë që hapur punon kundër shtetit të Kosovës.
Kjo sjellje e opozitës ngre pyetje serioze: kujt po i shërbejnë këto parti politike?

Pse nuk e përkrahin një kandidat që përfaqëson multietnicitetin e vërtetë dhe që është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës?

Pse vazhdojnë ti japin oksigjen Listës Serbe, një partie destruktive që nuk e njeh shtetin dhe që ka synime për të krijuar një “Republika Serbska” brenda teritorit të Republikës së Kosovës?

Për më tepër, qytetarët duhet ta kuptojnë qartë se Vetëvendosje nuk ka qenë asnjëherë bllokuese e institucioneve.
Përkundrazi, bllokimi ka ardhur nga opozita, e cila për dy dekada nuk ka krijuar as qeveri, as kuvend pa Listën Serbe. Sot, duke mos votuar Rashiqin, opozita i ka dhënë vulë faktorizimit të kësaj partie, duke dashur ta bëj edhe më të domosdoshme për funksionimin e shtetit.
Në vende si Rumania apo Bullgaria, gjyqtarët që u shërbenin interesave të ngushta politike janë suspenduar dhe turpëruar publikisht para se këto shtete të anëtarësoheshin në BE.
Në Kosovë, përkundrazi, gjyqtarët e Kushtetueses me vendime bllokuese po e dëmtojnë legjitimitetin e institucioneve dhe rrugën evropiane të vendit.
Kosova është shtet unitar, sovran dhe me shoqëri multietnike.
Kështu e përcakton Kushtetuta, dhe kështu duhet të mbetet. Çdo tentim për ta tejkaluar këtë kornizë është lojë me zjarrin dhe përpjekje për ta çuar vendin drejt destabilizimit. Partitë opozitare duhet ta ndalin këtë lojë të rrezikshme dhe të reflektojnë.

Nëse nuk po i shërbeni shtetit, kujt po i shërbeni?