Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj 2026.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për RTKLive se “në bazë të të dhënave, nga fillimi i këtij procesi dhe deri më 10 maj, në ora 10:00, përmes platformës elektronike janë pranuar 36,154 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 25,376, ndërsa 2,961 të tjera janë refuzuar dhe 7,797 janë në pritje për shqyrtim”.
Sipas tij, numri më i madh i votuesve jashtë regjistruar për të votuar përmes postës.
“Nga 25,376 aplikime të aprovuara, 6,280 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 701 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 18,395 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, njoftoi Elezi.
Para fillimit të periudhës për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, KQZ ka miratuar listën e Qendrave të Votimit në përfaqësi diplomatike dhe ka caktuar numrin maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për votim fizik më 6 qershor.
Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit planifikohet të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Ndërkaq, numri maksimal i votuesve që mund të regjistrohen për të votuar në këto Qendra të Votimit ëshë 66,450.
KQZ ka njoftuar se kufizimi i numrit maksimal të votuesve që mund të regjistrohen vlen vetëm për votimin në përfaqësi diplomatike, ndërkaq numri i votuesve që mund të regjistrohen për votim përmes postës është i pakufizuar. Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës.
Gjithashtu, sipas KQZ-së, pas zgjedhjeve të vitit të kaluar, janë rregulluar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me votimin jashtë Kosovë. KQZ ka vendosur numrin minimal prej 50 votuesish të regjistruar si kriter për organizimin e votimit në një përfaqësi të caktuar diplomatike. Nëse numri i votuesve të regjistruar për votim në një përfaqësi diplomatike është nën 50, votimi fizik në atë përfaqësi diplomatike nuk organizohet dhe votuesit e regjistruar do të kalojnë automatikisht në statusin e votuesve përmes postës dhe për këtë do të njoftohen nga KQZ. Ndërkaq, për shtetasit që regjistrohen për të votuar me postë, KQZ, ashtu siç ka bërë në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare, do t’ua dërgojë përmes postës pakon me fletëvotim.
Votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor 2026, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë. Votimi fillon në ora 07:00 dhe mbyllet në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës.
Votimi përmes postës do të fillojë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor 2026. Për këtë mënyrë votimi, KQZ do të njoftojë me kohë për adresat e kutive postare, në të cilat votuesit do të mund ta dërgojnë pakon me fletëvotim.



Të tjera
Zulfaj në takimin e ministrave për çështje evropiane në Qipro
Zbulohet cili ushtrim i palestrës shkakton më së shpeshti lëndime
Mbi 36 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës