Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka filluar shtypja e fletëvotimeve të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor, transmeton KosovaPost.
Sipas KQZ-së, shtypja e fletëvotimeve po realizohet në shtypshkronjën e dokumenteve me siguri të lartë, “Cetis”, në Celje të Sllovenisë.
“Ky proces po zhvillohet sipas standardeve ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e një delegacioni të KQZ-së të udhëhequr nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi, me pjesëmarrjen e anëtarëve Alban Krasniqi e Muharrem Nitaj, si dhe stafit të Sekretariatit të KQZ-së”, thuhet në njoftim.
Ky institucion njofton gjithashtu se përveç fletëvotimeve, do të shtypen edhe broshurat me listat e kandidatëve, të cilat do të jenë të disponueshme për votuesit në vendvotime gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Në fazën e parë janë duke u shtypur fletëvotimet për votimin jashtë Kosovës për 43,993 shtetas të Kosovës, të cilat, KQZ do të sigurohet që t’ua dërgojë përmes postës, ndërkohë do të vazhdohet me shtypjen e fletëvotimeve për procesin e votimit brenda vendit. Në mbledhjen e mbajtur më 7 shtator, KQZ mori vendim që për raundin e parë të zgjedhjeve për kryetar të komunave të shtypen 1,800,410 fletëvotime dhe po aq, 1,800,410, edhe për zgjedhjet për kuvende komunale. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë”, thuhet tutje në njoftim.
Në këtë proces zgjedhor, do të shtypen 13% apo 268,688 fletëvotime më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote, që sipas listës votuese të certifikuar nga KQZ është: 2,069,098.
Sipas të dhënave nga lista votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Kosovë është 2,025,105 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës është 43,993 votues.



Të tjera
Muja paralajmëron reforma në sigurinë ushqimore sipas standardeve evropiane
Çfarë shohin meshkujt në fillim te femrat
24 marsi 1999, dita kur historia u shkrua me vendime dhe i dha fund luftës në Kosovë