Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, bëri thirrje për veprim arab, islam dhe ndërkombëtar pas sulmit ajror izraelit në Doha, duke premtuar mbështetje të plotë për Katarin, transmeton Anadolu.
“Do të qëndrojmë me Shtetin e Katarit në të gjitha masat që ai merr, pa kufij, dhe do të vëmë në dispozicion të gjitha kapacitetet tona për këtë”, tha ai gjatë një fjalimi në Këshillin e Shuras.
Ai dënoi ashpër sulmin izraelit që kishte në shënjestër drejtues të Hamasit në Doha të martën, ku mbetën të vrarë pesë anëtarë të grupit.
“Kundërshtojmë dhe dënojmë sulmet e pushtimit izraelit në rajon, më i riu prej tyre agresioni brutal ndaj Shtetit të Katarit”, u shpreh bin Salman, duke theksuar se kjo kërkon veprim të bashkuar, “arab islam dhe ndërkombëtar”, për t’u dhënë fund praktikave të Izraelit që synojnë destabilizimin e sigurisë rajonale.
Ai gjithashtu ripërsëriti mbështetjen e Arabisë Saudite për të drejtat e palestinezëve, duke kujtuar Nismën e Paqes Arabe të vitit 2002 si rrugë për krijimin e shtetit palestinez.
“Toka e Gazës është një e drejtë e patjetërsueshme e palestinezëve që nuk mund të hiqet me agresion apo kërcënime”, theksoi ai.
Sulmi izraelit ndaj Dohas ka nxitur valë reagimesh dhe dënimesh, duke u cilësuar si shkelje flagrante e sovranitetit të Katarit dhe e së drejtës ndërkombëtare.
Izraeli ka vrarë mbi 64.600 palestinezë në ofensivën e tij në Gaza që nga tetori 2023, duke e zhytur enklavën në shkatërrim e uri masive.
Në nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa Izraeli përballet edhe me një proces për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Të tjera
Përmes Viberit po kërkohen para në emër të Policisë së Kosovës – një qytetar dërgon 1000 euro
Kandidimi im është vlerësuar si garancë e fitores në Mitrovicë
Aktivisti konservator Charlie Kirk vr*itet në Utah, Trump konfirmon lajmin