Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka quajtur sulm të ri ndaj medieve dhe deklarim të papranueshëm reagimin e presidentes Vjosa Osmani ndaj arrestimit të kameramanit Jetmir Muji.
Në reagimin e saj, AGK thotë se raportimi për vajzat e Osmanit si persona publikë, është në interes të publikut dhe jo përndjekje.
“Të papranueshme dhe të rrezikshme janë gjuha dhe sulmet e Presidentes Osmani ndaj gazetarëve dhe mediave. AGK-ja është posaçërisht e shqetësuar me këtë paragraf të reagimit të Presidentes Osmani: “Asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë’”, thuhet në reagimin e AGK-së, që ka cituar një pjesë të reagimit të presidentes.
AGK më tej e ka quajtur këtë deklaratë si shantazh ndaj gazetarëve dhe ka kërkuar nga presidentja e vendit “që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj mediave, dhe ta ushtrojë me përgjegjësi postin që ka”.
“Ky është një shantazh i hapur publik ndaj gazetarëve që vjen nga kreu i shtetit, me qasje të pakufizuar në raporte të institucioneve të sigurisë. Një mesazh i tillë kur vjen nga kreu i shtetit duhet të shërbejë si alarm për sigurinë juridike të secilit qytetar të Kosovës. Në kohën kur gazetarët dhe mediat sulmohen vazhdimisht nga Qeveria, Presidentja e Republikës së Kosovës, duhet të jetë ajo që garanton dhe ruan lirinë e medias, detyrë dhe obligim edhe sipas Kushtetutës së Kosovës”, vazhdon reagimi.
Ndërkaq. presidentja Vjosa Osmani më herët përmes një reagimi ka thënë se ekziston “përndjekje e vazhdueshme, e kundërligjshme dhe e rrezikshme që media të caktuara po ia bëjnë vajzave të saj të mitura”.
Në anën tjetër pak orë më parë, u lirua kameramani i Paparacit, Jetmir Muji, pas arrestimit të tij nga Policia e Kosovës për shkak të realizimit të xhirimit të mbrojtjes së afërt të vajzave të presidentes Vjosa Osmani.



Të tjera
Çfarë shohin meshkujt në fillim te femrat
24 marsi 1999, dita kur historia u shkrua me vendime dhe i dha fund luftës në Kosovë
Do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën