Ministri Peci paralajmëron kallëzime penale për disa figura të LDK-së, nuk përjashton as Abdixhikun

Kandidimi im është vlerësuar si garancë e fitores në Mitrovicë

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, i cili në zgjedhjet lokale të 12 tetorit kandidon për kryetar të Komunës së Mitrovicës, në ‘RTK Prime’ ka folur për shumë çështje që ndërlidhen me kandidimin e tij për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut, por edhe për ato në ministrinë që ka drejtuar dhe për bllokadën institucionale.

“Ekzistojnë disa arsye pse jam kandidat për kryetar të Komunës së Mitrovicës. Njëra prej arsyeve kryesore është se rezultatet më të  mira që i ka korr ‘Qeveria Kurti II’ janë ndërlidh me Mitrovicën dhe veriun e vendit. Dhe duke marrë për bazë se jam prej ministrave që kam marr besimin më të madh qytetar, ideja ka qenë që në pjesën gjeografike ku qeveria jo vetëm që ka pasur rezultate të mira, por ka shkëlqyer, në pjesën e menaxhimit të shtrirjes së sovranitetit, njëri prej figurave që ka pasur besimin qytetar, të sfidohet në një ambient dhe në një hapësirë dhe pjesë të territorit të Republikës ku i dihet një zhvillim më i balancuar, në kuptimin e gjendjes në të cilin ekziston qyteti, edhe në aspektin e mirëmbajtjes, menaxhimit, projekteve zhvillimore dhe infrastrukturore dhe që veriun e vendit ta kalojmë në një fazë të dytë”, tha Peci.

Sipas tij, faza e parë e veriut të Kosovës ka qenë në mekanizmat e sigurisë, policisë, njësive speciale, luftimi i kontrabandës, krimit të organizuar, parandalimi i shumë dukurive negative dhe devijante  si dhe parandalimi i ndikimit të Serbisë në atë pjesë.

“Derisa faza e dytë është të qenit më kreativ dhe pro aktiv në krijimin e ideve dhe projekteve zhvillimore që e shndërrojnë Mitrovicën si qytet prej qendrës më të zhvilluar në nivel të veriut të vendit. Rrjedhimisht në objektivin që e ka Qeveria Kurti III në tentativë, që po synojmë të realizojmë, më është thënë se ‘ti je figura që ne besojmë se e ka besimin qytetar, për shkak se është e freskët koha kur i kemi pyetur qytetarët e Kosovës e të Mitrovicës se çfarë mendojnë për figurat dhe personalitetet e Mitrovicës dhe në nivel të vendit”, ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se në zgjedhjet e fundit parlamentare ka qenë më i votuar si kandidat për deputet sesa Bedri Hamza i cili kandidoi për kryeministër vendi nga PDK. Këtë ai e quajti si test për ndikimin dhe përkrahjen që gëzon në Mitrovicë.

“Është vlerësuar se nominimi dhe kandidatura ime është garancë e fitores në Mitrovicë, por njëkohësisht por edhe garancë e një menaxhimi më të mirë në nivel të komunës për ta pasur një koordinim më të mirë në nivel qendror”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se me ndërtimin e urave qeveria nuk është duke bërë politikë. “Ura e radhës do të jetë në mes të Zhabarit dhe Gushavcit, që do të kaloj nga pjesa e Shipolit, ku lidhet nga bypassi. Ajo do të jetë me mundësinë që të jetë unazë që i lidh edhe komunat e tjera përreth veriut për të shndërruar veriun dhe Mitrovicën në një qytet të integruar dhe funksional”, ka thënë Peci.

Ai ka thënë se puna e tij si ministër është elementi thelbësor pse i është besuar kandidimi si kryetar.