Osmani mbështet deklaratën e sekretarit Rubio për sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës

Kam marrë kërcënime për dhunim të vajzave, jemi të detyruar t’i izolojmë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në një adresim para mediave ka folur për kërcënimet me jetë që ajo ka marrë dhe për mbrojtjen e afër që ruan vajzat e saja, duke thënë se këto janë protokolle të sigurisë për shkak të rrezikshmërisë së lartë.

Osmani ka thënë se çdo gjashtë muaj policia e bënë vlerësimin e rrezikshmërisë, dhe çdo gjashtë muaj konkluzioni është i njëjtë se vajzat janë në rrezikshmëri të lartë.

Presidentja u shpreh se ka marrë kërcënime me dhunim të vajzave.

Nuk besoj që asnjë prind do të donte që të merrte kërcënime të vazhdueshme me plumb në ballë për vetveten ose fëmijët e vet, unë i marr ato vazhdimisht. Nuk besoj që ka prind në Kosovë që do të donte që dy vajzat e veta të vogla të kërcënoheshin me dhunim. S’ka prind që do të donte ti izolonte nga loja dhe jeta normale fëmijët e vet, ne detyrohemi ta bëjmë këtë sepse kemi dhjetra kërcënime me jetë”, ka thënë Osmani.

Presidentja u shpreh se dhjetra kërcënime shumë prej të cilave janë publike në raport me të dhe familjen e saj vijnë nga serbët.

“Një kërcënim nga serbët ka ndodh në Twitter ku është publikuar fotoja ime me vajza ku ka shkruar “ju do të vdisni së shpejti”.Një tjetër kërcënim që ka ndodhur nga serbët është ku publikohen fotot e snajperit drejtuar ndaj veturës time”, tha Osmani.

Osmani pati kritika që sistemi i drejtësisë nuk ka ndërmarrë hapa konkret lidhur me kërcënimet që ajo ka marrë.

Është hera e vetme që drejtësia nuk ka ndërmarrë asnjë masë. Ju duhet të pyesni që në favor të kujt shkon që një president i shtetit të mos ta ketë trajtimin e barabartë në sistemin tonë të drejtësisë. Çdo politikanë tjetër që kërcënohet pavarësisht a është nga pushteti apo opozita i shohim shumë shpejt të akuzuarit para gjykatës”, tha Osmani.

Presidentja tutje foli edhe për rastin e së mërkurës ku një kameraman u arrestua për shkak se kishte shkuar të xhironte në tek shkolla ku vijojnë mësimin vajzat e presidentes.

“Ishte gënjeshtër që kinse mbrojtja ime e afërt e ka arrestuar gazetarin. Dje mbrojtja e afërt nuk e ka arrestuar, ata nuk arrestojnë gazetar. Ata kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare. Ju e dini shumë mirë që incizimi i paautorizuar është vepër penale edhe e dini që në kodin e etikës për mediat e shkruara një nga nenet kryesore është ndalimi i incizimit të paautorizuar dhe pa lejen e prindërve për fëmijët nën moshën 18 vjeçare”, tha Osmani.

Ajo tha se incizimi dje ka filluar në momentin kur fëmijët kanë qenë dashur të dalin nga shkolla, dhe ne kemi vonuar daljen që të presim që gazetari të largohet

“Nuk kam asnjë informatë as kur është arrestuar e as nga kush. Nuk kam bërë kërkesë e as nuk do të bëjë asnjëherë që të arrestohet ndonjë gazetar. Nuk kam çfarë të fsheh”, tha Osmani.