Grupi palestinez i rezistencës Hamas denoncoi sulmin izraelit ndaj kryeqytetit të Katarit, Doha, duke e quajtur “krim të plotë” dhe duke thënë se nuk ishte vetëm atentat kundër delegacionit të tij, por një sulm ndaj gjithë procesit të negociatave, transmeton Anadolu.
“Ky krim nuk ishte vetëm përpjekje për të vrarë delegacionin, por një sulm për të eliminuar gjithë rrugën e negociatave dhe për të synuar qëllimisht rolin e vëllezërve tanë që ndërmjetësojnë në Katar dhe Egjipt”, tha zyrtari i lartë i Hamasit, Fawzi Barhoum, në një konferencë për shtyp të transmetuar në kanalin televiziv “Al-Aqsa” të grupit.
Barhoum tha se sulmi ishte “provë e hapur nga kryeministri Benjamin Netanyahu dhe banda e tij kriminale se ata refuzojnë arritjen e çdo marrëveshjeje dhe këmbëngulin në pengimin e të gjitha përpjekjeve rajonale dhe ndërkombëtare që synojnë t’i japin fund gjenocidit dhe urisë së popullit tonë në Gaza”.
Ai theksoi se Netanyahu dhe qeveria e tij e ekstremit të djathtë mbajnë “përgjegjësinë e plotë për minimin dhe bllokimin e të gjitha përpjekjeve të mëparshme të negociatave”.
Konferenca për shtyp erdhi pasi avionët luftarakë izraelitë goditën një ndërtesë banimi në Doha të martën që strehonte zyrtarë të Hamasit. Ndërsa delegacioni negociues mbijetoi, sulmi vrau djalin e udhëheqësit të lartë të Hamasit, Khalil al-Hayya, drejtorin e zyrës së tij, tre truproja dhe një oficer sigurie nga Katari.
Barhoum tha se sulmi plagosi gjithashtu gruan e al-Hayyas, si dhe gruan dhe fëmijët e djalit të tij të vrarë, Humam.
Hamasi tha se sulmi ishte përpjekje e qartë për të sabotuar përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësimit nga Katari dhe Egjipti, të cilët janë përpjekur të sigurojnë një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve.
Të martën, Katari e dënoi me forcë sulmin izraelit si një “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar” dhe kërcënim për sovranitetin dhe sigurinë e tij.
Shteti i Gjirit ka qenë një ndërmjetës kyç në negociatat e armëpushimit në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit për t’i dhënë fund sulmeve gjenocidale të Tel Avivit që kanë vrarë më shumë se 64.700 njerëz që nga tetori 2023.
Të tjera
Kr*imet e ekstremistëve të krahut të djathtë në Austri rriten me mbi 40 për qind në 2025
Petar Petkoviqi refuzon të diskutojë në Bruksel për Luginën, reagon Shaip Kamberi
Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënon su*lmin iz*raelit ndaj Katarit