Nga Grenell te Ambasada: Pse SHBA po e shndërron Kosovën në skenë eksperimentale

Pse SHBA po e shndërron Kosovën në skenë eksperimentale

Shkruan: Besa Nuredini

Fushata zgjedhore në Kosovë nisi sot nën një re të rëndë diplomatike. Në vend që dita e parë të karakterizohej nga përplasja e ideve e projekteve, ajo u shënua nga një deklaratë e Ambasadës së SHBA-së që pezullon Dialogun Strategjik me Kosovën “në afat të pacaktuar”.
Ky veprim nuk është një rastësi kalendarike. Është një ndërhyrje e hapur në politikën e brendshme të Kosovës, një mesazh i koduar për të goditur Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje pikërisht në nisje të garës elektorale.

Ky skenar nuk është i panjohur. Edhe në zgjedhjet nacionale, Richard Grenell ndërhyri me postime dhe presione publike për ta dobësuar Kurtin dhe për ti dhënë teren opozitës.
Sot duket sikur historia po përsëritet: Ambasada amerikane, me reputacionin që e ka ndërtuar ndër vite përmes sakrificës së ushtarëve amerikanë dhe diplomacisë amerikane që ndihmuan në çlirimin e Kosovës, po luan një rol të ndjeshëm në jetën politike të vendit.
Kjo ndërhyrje mund të perceptohet si një test i kufijve të sovranitetit dhe demokracisë në Kosovë.
Askush nuk e vë në dyshim se SHBA ka qenë dhe mbetet aleati kryesor i Republikës së Kosovës dhe i popullit të saj. Pa Amerikën, ky shtet nuk do të ekzistonte. Por pyetja është: çfarë lloj aleance po kërkohet sot?
Një aleancë me një qeveri që ka guximin të shkatërrojë strukturat paralele serbe në veri, të vendosë rendin dhe ligjin, të mbrojë sovranitetin dhe të mos lejojë bandat kriminale të diktojnë jetën e qytetarëve?
Apo një aleancë me “partnerë pragmatikë” që e pranojnë Listën Serbe si faktor politik të përhershëm, duke e ruajtur Serbinë në Kosovë ashtu siç ka qenë gjithmonë, me kontroll mbi veriun, me ndikim në institucionet tona, dhe me shantazh mbi qeveritë e radhës?

Deklarata e sotme nuk është thjesht një pezullim teknik. Është një paralajmërim se SHBA-ja preferon qeveri që i binden lojës së vjetër: dialog pa fund, integrim i Listës Serbe në pushtet, ruajtje e status quo-së ku Serbia merr gjithçka pa dhënë asgjë. Është një sinjal që opozita e Kosovës e ka kuptuar shpejt: sot PDK, LDK dhe AAK dalin me deklarata që Kurti nuk është problem politik, por “problem kombëtar”. Ironi dhe turp i madh që politikanë shqiptarë shohin aleatët e tyre dhe ambasadat si urë për të marrë pushtetin e jo nga kutitë e votimit.

Në këtë lojë të madhe, qytetarët e Kosovës janë dëshmitarë të një paradoksi: Serbia, e cila ka sfiduar hapur SHBA-në dhe BE-në, ka bërë aleancë me Rusinë e Kinën, ka marrë pjesë në parada ushtarake në Pekin, nuk është ndëshkuar e as qortuar publikisht. Ndërsa Kosova, shteti më proamerikan dhe proevropian në botë, ndëshkohet publikisht sepse kryeministri i saj guxon të mbrojë integritetin territorial dhe të ndryshojë terrenin në veri.

Kjo është arsyeja pse ky veprim duhet parë si një ndërhyrje e rrezikshme. Nuk është fjala për kritika miqësore, por për një presion që riformulon demokracinë kosovare sipas interesave të jashtme. Nuk është rastësi që gjithçka ndodh në prag fushate. Që nga Grenell e deri te ambasada, mesazhi është i njëjtë: ose do të pranonin Listën Serbe dhe Serbinë si partner të përhershëm brenda institucioneve, ose do të ndëshkoheni.
Qytetarët duhet ta kuptojnë se kjo nuk është çështje e një partie politike apo e një lideri të vetëm. Është çështje e vetë sovranitetit. Sepse sot po dënohet një qeveri që mbrojti veriun, nesër mund të dënohet çdo qeveri tjetër që guxon të mbrojë kufijtë dhe të refuzojë diktatin e Serbisë. Aleanca me SHBA-në duhet të mbetet e fortë, por jo duke u kthyer në mekanizëm presioni që kërkon partnerë të bindur ndaj Listës Serbe.

Kosova nuk është terren eksperimental. Kosova është shtet i lirë dhe demokratik, që meriton respekt, jo ndërhyrje të orkestruara në mes të fushatës. Dhe këtë mesazh duhet ta dërgojnë qytetarët, jo vetëm politikanët.