Hoti: Serbia po vazhdon ta politizojë çështjen e të zhdukurve

Serbia po vazhdon ta politizojë çështjen e të zhdukurve

Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka reaguar pasi Serbia ka vazhduar avazin e saj të zvarritjes te çështja e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, ndonëse për këtë ekziston një marrëveshje në Bruksel. Hoti përmes një reagimi ka thënë se Serbia po vazhdon ta kriminalizojë e politizojë çështjen e personave të zhdukur.

Pas takimit të së enjtes në Bruksel ndërmjet kryenegociatorit kosovar Besnik Bislimi dhe atij serb, Petar Petkoviq, Hoti theksoi se tanimë edhe zyrtarisht, Serbia shmang zbatimin e Komisionit të Përbashkët duke kërkuar ndryshimin e termave të referencës.

Ai kujtoi se në dhjetor 2024, siç dihet botërisht, janë miratuar zyrtarisht Termat e Referencës (ToR) të Komisionit të Përbashkët (Joint Commission) për çështjen e personave të zhdukur. Pas dështimit të parë më 15 janar 2025, tani më 11 shtator 2025, në takimin e thirrur nga Sorensen, pala serbe refuzoi përsëri pjesëmarrjen. Por tani me një arsyetim tjetër: nuk e pranojnë marrëveshjen që vetë e kanë pranuar në dhjetor 2024, duke kërkuar ndryshimin e Termave të Referencës. Sipas tij, tendenca të tilla për moszbatim të marrëveshjes dhe shmangie të qëllimshme nga çdo nismë për qasje në arkiva nuk kanë emër tjetër: krimi po shumëfishohet nga Serbia.

“Komisioni i Përbashkët ka paraparë monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur në Bruksel dhe si mekanizëm, është përgjegjës për të monitoruar edhe hapjen e arkivave dhe zbatimin e zotimeve për qasje në territorin serb, në lokacionet e dyshuara për varreza masive. Refuzimi për të marrë pjesë në këtë mekanizëm është mohim i së drejtës së viktimave dhe pengesë e drejtpërdrejtë për gjetjen, identifikimin dhe kthimin e të zhdukurve”, thuhet në reagimin e Hotit, i cili i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe miqve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të mundësojnë zbatimin e marrëveshjeve që janë miratuar në sytë e tyre dhe me miratimin e tyre.

Veprimet e tilla të Serbisë, kryetari i Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Pagjetur, Haki Kasumi, i ka quajtur lojë të pisët të Serbisë.

E Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se Serbia vazhdon të bëjë politikë me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe me familjarët e tyre.

“Pala serbe ka kërkuar që edhe një herë të revidohen termat e referencës edhe pse ishin dakorduar për ato. Kjo tregon qartë që pala serbe nuk është e interesuar që të krijohet Komisioni përbashkët, i cili pastaj do të mbikëqyrej nga BE dhe në këtë mënyrë po prolongohet çështja e zbardhjes së personave të zhdukur”, tha Blakaj.

Komisioni për të pagjeturit është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Më 17 dhjetor 2024, Kosova dhe Serbia u pajtuan që ta zbatonin këtë deklaratë, por që nga ajo kohë, nuk ka gjetur zbatim./rtk