Demokratët amerikanë i kanë kërkuar administratës Trump të ushtrojë presion ndaj Kinës për të frenuar “mbiprodhimin strukturor”, që në thelb do të nënkuptonte një ristrukturim të modelit ekonomik të Pekinit, ndërsa Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, zhvillon bisedime me zyrtarët kinezë në Spanjë.
Anëtarët demokratë të një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve për çështjet e Kinës thanë se çdo marrëveshje tregtare dypalëshe duhet të përfshijë “kërkesa të detyrueshme” për Pekinin që të reduktojë kapacitetin industrial të tepërt, sipas një letre që ata i kanë dërguar Bessent dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të tregtisë të premten, e cila është parë nga Reuters.
Letra thekson shqetësimin në rritje në Uashington ndaj Kinës
Kina prodhon shumë më tepër mallra të prodhuara sesa mund të konsumojë në tregun e brendshëm, duke nxitur dërgesa të mëdha jashtë vendit dhe luftë çmimesh brenda. Megjithëse zyrtarët kinezë kanë mohuar në mënyrë të përsëritur pretendimet e SHBA për mbikapacitet, Pekini ka nisur një fushatë kundër deflacionit dhe luftës së çmimeve në disa sektorë.
Bessent dhe përfaqësuesi për Tregtinë, Jamieson Greer – të cilët përmenden në letër së bashku me Sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick – nisën bisedimet të dielën në Madrid me një ekip kinez të udhëhequr nga Zëvendës Kryeministri He Lifeng.
Departamentet e Thesarit dhe të Tregtisë nuk u përgjigjën ndaj pyetjeve në lidhje me letrën.
Letra nga anëtarët e Komitetit të Zgjedhur të Dhomës për Kinën, e cila përsërit argumente të bëra më parë nga administrata Biden, veçanërisht ish-sekretarja e Thesarit Janet Yellen – ka pak gjasa të ndikojë administratën republikane të Donald Trump. Megjithatë, ajo thekson thellësinë e shqetësimit në Uashington për Kinën, në një kohë kur dakordësia dypartiake është e rrallë.
“Përdorimi historik dhe shkatërrues nga RP e Kinës i mbiprodhimit strukturor për të nxitur rritjen ekonomike ka një kosto të pamohueshme për industrinë amerikane, punësimin dhe stabilitetin e tregjeve ndërkombëtare”, thuhet në letër, duke iu referuar emrit zyrtar të Kinës, Republika Popullore e Kinës.
Mbiprodhimi dhe ndikimi në sektorë të caktuar
Dy ekonomitë më të mëdha në botë kanë hasur vështirësi në kthimin e një armëpushimi për tarifat me trefish shifror, i zgjatur për 90 ditë muajin e kaluar, në një marrëveshje të qëndrueshme tregtare që të adresojë ankesat që shkojnë nga fentanili dhe deficiti tregtar i SHBA-së deri te pronësia e TikTok-ut.
Letra thekson se çështja e mbiprodhimit duhet të trajtohet në bisedime, duke përmendur industrinë e çelikut dhe të paneleve diellore në Kinë si shembuj, ku një zgjerim masiv i furnizimit është ndjekur nga valë eksportesh që kanë dëmtuar vendet e punës dhe industrinë në SHBA dhe vende të tjera.
Administrata, sipas letrës, duhet gjithashtu të përfitojë nga shqetësimi që këto eksporte shkaktojnë tek aleatët dhe partnerët dhe të punojë me ta për të ndërtuar një përgjigje ndërkombëtare ndaj mbiprodhimit kinez.
Nevoja për një qasje më të balancuar ndaj tarifave
Kjo kërkon një “qasje më të balancuar” ndaj tarifave, thuhet në letër, duke iu referuar mjetit të preferuar të politikës ekonomike nga administrata Trump.
Administrata Trump ka vendosur tarifa edhe ndaj aleatëve të ngushtë si Koreja e Jugut dhe Japonia, megjithëse disa prej tyre janë reduktuar më vonë në këmbim të angazhimeve për investime ose ulje të ndërsjella të tarifave, shkkruan Reuters.
Të tjera
KFOR-i së bashku me FSK-në e Policinë inspekton materiale të rrezikshme në Lipjan
Vrasja në tentativë në Vushtrri, arresohet një i dyshuar, një tjetër në kërkim nga Policia
Maliqi për dëshminë e Rubin: Çmontoi argumentin qendror të Prokurorisë së Hagës