Jashari priti në takim Adjutantin e Përgjithshëm të Gardës së Ajovas

Jashari priti në takim Adjutantin e Përgjithshëm të Gardës së Ajovas

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur në vizitë zyrtare Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare së Ajovës (GKA), Gjeneral Major Stephen Osborn.

Bëhet e ditur se Jashari e ka njoftuar me aktivitetet aktuale të FSK-së, procesin e përgatitjes për validim, si dhe vlerësimet e larta dhe mësimet e mësuara pas trajnimit të përbashkët që është realizuar në JRTC.

Ndërsa në anën tjetër, FSK-ja thotë se Osborn është shprehur i kënaqur për aktivitetet e përbashkëta të realizuara deri tani, si dhe procesin e planifikimit për të ardhmen.

“Gjithashtu, ata vlerësuan lartë bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Ajovas, përkatësisht FSK dhe GKA, si një storie suksesi i një bashkëpunimi të frytshëm, i cili së fundmi ka avancuar në një nivel tjetër, me planifikimin e përbashkët për një periudhë 3 vjeçare. Gjenerali Osborn shprehu mirënjohjen e tij ndaj Gjeneral Jasharit dhe personelit të FSK-së për pritjen e ngrohtë, duke theksuar kënaqësinë për progresin e dukshëm që po realizohet në të gjitha fushat”, bëhet e ditur në njoftim.

Sipas FSK-së, mysafiri me grada të larta në Gardën KOmbëtare të Ajovas ka riafirmuar  mbështetjen e tij të palëkundur në rrugën drejt arritjes së qëllimeve strategjike, si dhe në zhvillimin e kapaciteteve operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.

“Sipas agjendës së përbashkët, GLT Jashari dhe GM Osborn do të marrin pjesë në konferencën e Kartës së Adriatikut A-5, që do të realizohet në Tiranë”, thotë FSK-ja.