Sot konferenca e 6-të ndërqeveritare Shqipëri-BE: Hapen 4 kapituj të ‘agjendës së gjelbër’

Shqipëria po bën një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke nisur sot Konferencën e 6-të Ndërqeveritare në Bruksel. Takimi, i cili ka përqendrim të veçantë në grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, do sjellë hapjen e 4 kapitujve të rinj të negociatave: Politika e Transportit, Energjia, Rrjetet Trans-evropiane, Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.

Takimi po bashkëdrejtohet nga ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ka shprehur kënaqësinë e tij për ritmin rekord të negociatave, duke shtuar se Shqipëria ka hapur tashmë 24 kapituj në vetëm 11 muaj. Kryeministri Rama theksoi se ky është një ritëm rekord në historinë e negociatave për anëtarësim.

Në orën 09:15, Rama do të mbajë një konferencë për shtyp së bashku me ministren daneze dhe Komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos. Pas kësaj, takimi do të vazhdojë me fokus në kapacitetin e Shqipërisë për realizimin e integrimit të plotë deri në vitin 2030.

AGJENDA:

08.00 – Konferenca Ndërqeveritare 6. Hapja e Bisedimeve për anëtarësim në BE mbi Grupkapitullin IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”

09.15 – Konferencë e përbashkët shtypi  Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë; Znj. Marie Bjerre, Ministre e Cështjeve Evropiane, Mbretëria e Danimarkës; Znj. Marta Kos, Komisionere Evropiane për Zgjerimin