Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje vendeve evropiane të nisin krijimin e një “ombrelle mbrojtëse ajrore”, pasi Rusia bombardoi sërish qytetin ukrainas Zaporizhia, duke plagosur të paktën 13 persona, mes tyre dy fëmijë.
Në një postim në rrjetet sociale më 16 shtator, Zelensky tha se raketat ruse “goditën qëllimisht për të terrorizuar popullin tonë”, duke dëmtuar “shumë ndërtesa banimi”.
Ai shtoi se që nga fillimi i shtatorit, Moska ka lëshuar mbi 3,500 dronë dhe gati 190 raketa, si dhe mbi 2,500 bomba ajrore, kundër objektivave brenda Ukrainës dhe ka kryer “provokime ndaj partnerëve tanë”.
“Kjo është pikërisht ajo lloj terrori ajror kundër të cilit Ukraina kërkon mbrojtje të përbashkët – në mënyrë që askush të mos detyrohet të ngrejë me nxitim avionë luftarakë dhe të ndjejë presionin e Rusisë në kufijtë e tij”, shkroi Zelensky.
“Tani është koha të zbatojmë mbrojtjen e përbashkët të qiellit evropian me një sistem të shumëfishtë mbrojtjeje ajrore. Të gjitha teknologjitë për këtë ekzistojnë tashmë. Ajo që nevojitet janë investime dhe vendosmëri – veprime të forta dhe vendime nga të gjithë partnerët tanë”.
Çështja e neutralizimit të dronëve rusë, të cilët janë shtuar ndjeshëm gjatë më shumë se tre viteve të luftës, ka marrë vëmendje të re pasi mbi një duzinë dronësh rusë depërtuan javën e kaluar në Poloni, ndërsa një tjetër shkelje e hapësirës ajrore të NATO-s u regjistrua në Rumani.
Në fjalimin vjetor për “Gjendjen e Bashkimit”, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi nevojën për rritjen e mbrojtjes nga dronët, duke shpallur një hua prej 6 miliardë eurosh për t’u bashkuar në një “aleancë dronësh” me Ukrainën.
Ajo sugjeroi edhe një nismë të quajtur “Eastern Flank Watch”, që do të ofrojë “mbikëqyrje hapësinore në kohë reale” nga Baltiku deri në Detin e Zi.
Von der Leyen u zotua gjithashtu për ndërtimin e një “muri dronësh” – diçka që Komisioni i saj kishte refuzuar ta financonte më herët këtë vit, kur Estonia, Letonia dhe Lituania kërkuan fonde për një projekt të tillë.
Detajet për këtë nismë mbeten të paqarta: nuk ka shifra konkrete për buxhetin, as shtrirje gjeografike të saktë, përveç faktit që Komisioni Evropian pritet të paraqesë në tetor një plan të ri për projekte të përbashkëta mbrojtjeje.
“Në këto shtete kufitare duhet të krijojmë një ‘mur dronësh’ së bashku me Ukrainën dhe ta përfshijmë atë në këtë projekt”, tha më 15 shtator Komisioneri Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, për agjencinë ukrainase Ukrinform.
Më herët, më 16 shtator, Zelensky tha në një intervistë për Sky News se nevojitet një “qëndrim i qartë” nga presidenti amerikan Donald Trump për sanksionet daj Rusisë dhe për garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Ai i bëri thirrje Trumpit, i cili po nis një vizitë zyrtare në Britani, të ndërmarrë “hapa të fortë personalë” për të “ndalur Putinin”.
“Unë besoj se SHBA është mjaftueshëm e fortë për të marrë vendime të veta…. Besoj se Donald Trump mund të na ofrojë sisteme mbrojtjeje ajrore në sasi, dhe SHBA ka të mjaftueshme”, tha Zelensky.
“Jam i bindur se SHBA mund të vendosë sanksione të mjaftueshme për të dëmtuar ekonominë ruse, dhe se Donald Trump ka forcën për ta bërë Putinin të ketë frikë prej tij. Evropa tashmë ka miratuar 18 paketa sanksionesh ndaj Rusisë. Ajo që mungon tani është një paketë e fuqishme sanksionesh nga SHBA”.
Zyrtarët e BE-së thanë më 16 shtator se paketa e 19-të e sanksioneve kundër Rusisë do të vonohet, pasi Trump kërkoi nga Evropa të ndërpresë më shpejt blerjet e naftës dhe gazit rus.
Uashingtoni njoftoi se do të shtyjë vendosjen e tarifave shtesë për vende si Kina, për të ndaluar blerjen e naftës ruse.
Masat e reja të BE-së kundër Rusisë, për shkak të agresionit të saj të plotë ndaj Ukrainës, pritet të synojnë më shumë banka, të ashtuquajturin “flotë hije” të Kremlinit që transporton naftë për të shmangur sanksionet, kompani të vendeve të treta, si dhe disa individë, veçanërisht ata që konsiderohen përgjegjës për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas. /REL/
Të tjera
Gjermania mbetet partner strategjik i Kosovës
Rexhepi refuzon takimin me ministrin Demo Berisha: Jo spektakle politike
Lideri skocez i kërkon qeverisë britanike të veprojë lidhur me Ga*zën, bën thirrje për sanksione ndaj Iz*raelit