Estonia: Tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore

Tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore

Estonia thirri një diplomat rus për të protestuar pasi tre avionë luftarakë rusë hynë pa leje në hapësirën e saj ajrore të premten dhe qëndruan aty për 12 minuta, njoftoi Ministria e Jashtme e Estonisë.

Vetëm pak më shumë se një javë pasi avionët e NATO-s rrëzuan dronë rusë mbi Poloni, duke rritur frikën se lufta në Ukrainë mund të përhapet.

Ministri i Jashtëm, Margus Tsakhna, tha se Rusia e ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë katër herë këtë vit, “por shkelja e sotme, me tre avionë luftarakë që hyjnë në hapësirën tonë ajrore, është pa precedent dhe e pa­turp”, raporton AP.

Zyrtarët rusë nuk komentuan menjëherë për këtë ngjarje.

Shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia ishte incidenti më serioz i këtij lloji në një vend anëtar të NATO-s që nga fillimi i luftës në Ukrainë me pushtimin e plotë rus në shkurt 2022. Vende të tjera të aleancës kanë raportuar shkelje të ngjashme dhe rrëzime dronësh në territorin e tyre.

Zhvillimet kanë tronditur gjithnjë e më shumë qeveritë evropiane, ndërsa përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për ta ndalur luftën në Ukrainë nuk kanë dhënë rezultat.

Por ndaj këtij veprimi provokues rus kanë reaguar avionë italianë F-35.

Avionët luftarakë rusë MIG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë pranë ishullit Vaindloo, një ishull i vogël në Gjirin e Finlandës në Detin Baltik, tha ushtria estoneze në një deklaratë të veçantë.

Avionët nuk kishin plane fluturimi dhe transponderët e tyre ishin të fikur, thuhej në deklaratë, dhe nuk ishin në komunikim dy­drejtimësh me shërbimet estoneze të trafikut ajror.

Avionë luftarakë F-35 të Forcës Ajrore Italiane, të dislokuar aktualisht si pjesë e misionit të NATO-s për patrullimin ajror të Baltikut, iu përgjigjën incidentit, sipas deklaratës.

“Testimet gjithnjë e më të gjera të kufijve nga Rusia dhe agresiviteti në rritje duhet të përballen me një rritje të shpejtë të presionit politik dhe ekonomik,” tha ministri i Jashtëm, Tsakhna.

Përfaqësuesi i ngarkuar me punë i Rusisë u thirr dhe iu dorëzua një notë proteste, njoftoi Ministria e Jashtme estoneze.