Ushtria izraelite paralajmëroi më 19 shtator se do të operojë me “forcë të paprecedentë” në Qytetin e Gazës, duke u bërë thirrje banorëve që të largohen drejt jugut dhe po ashtu duke njoftuar për mbylljen e një rruge të përkohshme për evakuim, që e hapi 48 orë më parë.
Përpjekjet e Izraelit për të marrë nën kontroll të plotë Qytetin e Gazës kanë nxitur zemërim ndërkombëtar, teksa Rripi i Gazës ka pësuar shkatërrime të mëdha pas pothuajse dy vjet luftë dhe banorët po përballen me katastrofë humanitare.
Ofensiva izraelite vjen po ashtu në kohën kur disa shtete perëndimore, përfshirë Francën dhe Britaninë, pritet të njohin një shtet palestinez gjatë samitit të Kombeve të Bashkuara që mbahet javën e ardhshme.
OKB-ja në fund të gushtit vlerësoi se afër 1 milion banorë jetonin në Qytetin e Gazës dhe zonat përreth. Izraeli thotë se qindra mijëra prej tyre janë larguar nga ky qytet, që është më i madhi në Rripin e Gazës.
Në një postim në X drejtuar banorëve të Qytetit të Gazës, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, tha: “nga ky moment rruga Salah al-Din është mbyllur për kalim drejt jugut. Ushtria izraelite do të vazhdojë të operojë me forcë të paprecedent kundër Hamasit [grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian] dhe kundër organizatave të tjera terroriste”.
Ai shtoi se rruga e vetme drejt jugut ishte Al-Rashid dhe u bëri thirrje banorëve “që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe t’iu bashkohen qindra mijëra banorëve të qytetit të cilët janë zhvendosur në jug në zonën humanitare”.
Izraeli të mërkurën kishte njoftuar se do të hapte një rrugë të re “të përkohshme” të cilën banorët e Qytetit të Gazës mund ta përdornin për t’u larguar. Kjo rrugë u hap pasi Izraeli nisi ofensivën tokësore dhe bombardimet masive ndaj Qytetit të Gazës.
Ushtria tha se rruga përmes Salah al-Din do të ishte e hapur vetëm për 48 orë.
Rruga Salah al-Din kalon përmes Rripit të Gazës nga veriu në jug.
Izraeli nisi ofensivën në Qytetin e Gazës të martën dhe nisja e saj erdhi pasi Kombet e Bashkuara e akuzuan shtetin për kryerje të “gjenocidit” në Rripin e Gazës. Në një hetim të kryer nga OKB-ja u tha se kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë kishin nxitur këtë krim.
Izraeli hodhi poshtë gjetjet dhe i cilësoi si “të rreme”.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Fushata hakmarrëse e Izraelit ka vrarë më shumë se 65.000 persona në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë – shifra që konsiderohen të besueshme nga OKB-ja./REL/
Të tjera
Kosova po përfaqësohet dinjitetshëm në Osaka Expo 2025
Pas Arbër Zenelit, Agim Ademi i shkon në konak edhe Bersant Celinës
Një javë nga pezullimi i fillimit të dialogut strategjik, ish-diplomatët këshilla Kosovës që të mos i largohet SHBA’së