Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës mbetet i bllokuar, në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka pezulluar zhvillimet deri më 30 shtator.
Në këtë situatë të paqartë, gjithnjë e më shumë po përmendet opsioni i zgjedhjeve të parakohshme si mënyrë për të dalë nga ngërçi institucional. Ish-partitë opozitare po e shohin këtë si alternativën më të mundshme për zgjidhjen e krizës.
Një sinjal i qartë në këtë drejtim ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës. Sekretarja e saj e përgjithshme, Vlora Çitaku, ka deklaruar se zgjedhjet e reja janë të domosdoshme dhe, sipas saj, ato mund të mbahen në fund të vitit 2025.
E në lidhje me thirrjet e vazhdueshme për zgjedhje të parakohshme, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.
“Derisa fushata për zgjedhjet komunale, po zhvillohet e qetë e pa probleme dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, konsiston për një Kosovë me drejtësi që funksionon për popullin dhe u bënë thirrje qytetarëve që përveç qeverisjes qendrore, t`ia japin besimin partisë që ai udhëheqë, ta shtrijë qeverisjen edhe në nivel komunal, pas problemeve me krijimin e institucioneve të reja shtetërore të legjislaturës së 9-të, përditë e më shpesh po përsëritet refreni për zgjedhje të jashtëzakonshme edhe në nivelin nacional.
Duke qenë se Kosova as pas 8 muajve nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, përveç konstituimit të Kuvendit, nuk ka arritur ta formoi qeverinë e re, as t’i themelojë institucionet legjitime shtetërore, madje Gjykata Kushtetuese e cila deri në fund të gushtit kërkonte konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë dhe institucioneve legjitime shtetërore, për habi, nga 5 deri më 30 shtator, ka vendosur masë të përkohshme, përmes të cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, që të ndërmarrin çfarëdo veprimi për formimin e qeverisë së re, me arsyetimin se nuk është votuar nënkryetari nga pakica serbe në Kuvendin e Kosovës, fjalën vendimtare për veprime të mëtejme, deri në fund të këtij muaji duhet ta japë vet Gjykata Kushtetuese”.
Kurse, krahas dekalaratave të Çitakut, Qarri tha se duhet të pritet vendimi i Kushtetueses, në mënyrë që të dihet se si të verpohet tutje, në mënyrë që të dalim nga ngërçi politik.
Megjithatë, nuk hodhi mundësinë e zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi sipas tij një gjë të tillë mund ta vendosë gjykata në fjalë, e që eventualisht zgjedhjet e reja do mund mbaheshin në janar të 2026.
Krahas kësaj, analisti përmendi edhe zgjedhjet lokale, e të cilat janë kthyer në fokus kryesor pas pezullit të punës së Kuvendit.
“Në anën tjetër Kosovës edhe në nivelin lokal i duhen kryetar të zot dhe udhëheqje aktive komunale të cilat punojnë me zemër e vullnet të pandalshëm për qytetarët dhe përmirësimin e jetesës së tyre, e merren më pak me politikën ditore, që kontaminon atmosferën edhe nëpër komunat e vendit, dhe jo figura që derisa buxhetet për komuna rriten, ata kthejnë në deficit milionat e pa shfrytëzuar, duke lënë shumë punë të nisura në gjysmë, premtime të parealizuara dhe suficite e teprime buxhetesh, që shkon në dëm të të gjithëve, veçanërisht nëpër qytete ku pothuajse janë të zëna edhe trotuaret nga makinat dhe nxënësit që vijojnë shkollimin e përditshëm, nuk kanë as nga të ecin, e pavarësisht nevojave të qytetarëve për infrastrukturë, komunave për çdo vit u teprojnë miliona euro të pashfrytëzuara nga buxheti, ani pse mungesa e hapësirave për këmbësor, rrezikon më së shumti fëmijët, që vërtetë e rëndon shumë gjendjen dhe bënë sfidë të përditshme për qytetarët”.
Tutje, Qarri përmendi edhe një skenar të mundshëm të partive ish-opozitare për largimin e Kurtit nga pushteti, e që sipas tij, qytetarët nuk do ua besojnë votat këtyre partive në atë masë sa ta largojnë LVV nga qeveria.
“Në fakt për zgjedhje të parakohshme kanë folur edhe partitë tjera ish-opozitare, të cilat duke qenë se përflitet që kanë njerëzit e vet, në sistemin e drejtësisë dhe vet Gjykatën Kushtetuese, deklarata të tilla sinjalizojnë qartë, se zgjedhjet e parakohshme, janë opsion trajtimi edhe nga vet kushtetuesja, por edhe nëse vërtetë ky është skenari, që në rast të zgjedhjeve të reja, partitë ish-opozitare të bëhen bashkë, duke qenë se ato-çdo qeveri e kanë krijuar vetëm në bashkëveprim me të ashtuquajturën “listë serbe”, nuk besojë se populli do t`ua besojë votën, në përmasa të tilla që të jenë në gjendje ta largojnë LVV-në nga pushteti”, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, analisti shtoi se mbështetja për Kurtin është mjaft e madhe ende dhe nëse mbahen zgjedhjet e reja, atëherë kryetari i LVV-së do dalë edhe më i fuqishëm.
“Madje duke pasur parasysh mbështetjen e madhe që z. Albin Kurti gëzon te qytetarët e Republikës së Kosovës dhe bllokadën shumëmujore kundër konstituimit të Kuvendit, duke mos marrë pjesë as në votim, partitë opozitare, veçanërisht pas ftesës nga Anu Pratipati, të ngarkuarës me punë, në Ambasadën Amerikane nga e cila morën edhe ofertën që të bëheshin bashkë dhe ta krijonin Qeverinë por nuk dëshmuan guxim as kurajo për një veprim të tillë, besojë se pas zgjedhjeve të reja parlamentare, jo vetëm që nuk do të jenë në gjendje, as të kenë fuqi ta marrin pushtetin, por do të prishet edhe konstalacioni aktual ndërpartiak i vet opozitës, ngase pa hyrje në koalicion me ndonjërën nga partitë më të numërta opozitare, AAK dhe Nisma, pritet të bien nën pragun zgjedhor e të largohen përfundimisht nga politikbërja e shtetit tonë të pavarur, ndërsa z. Kurti, mendohet se do të dalë edhe më i fuqishëm, nga zgjedhjet e reja me mbështetjen e madhe që ai gëzon te qytetarët”, përfundoi Gani Qarri



Të tjera
Enver Hoxhaj e Xhavit Haliti në tregun e Pejës, kërkojnë “çelës që e çmonton qeverinë, që ia heq shrafat”
Blakaj: Procesi i dytë gjyqësor ndaj Thaçit po përdoret si arsye për të mos e liruar nga paraburgimi
Su*lme të reja ruse në infrastrukturën civile