Ministrja në detyrë e Ministrisë së Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka theksuar se Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të bëhet realitet, duke e cilësuar atë si një mekanizëm të domosdoshëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe integritetit institucional.
Gërvalla ka deklaruar se përmbyllja e konsultimit publik për Projektligjin shënon një hap të rëndësishëm në këtë proces.
“Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të jetësohet, sepse nuk ka rrugë tjetër për një shtet që synon drejtësi, barazi para ligjit dhe integritet institucional”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka falënderuar qytetarët, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë për kontributin e dhënë gjatë konsultimeve publike.
“Sot përfundon afati i konsultimit publik për Projektligjin për Byronë. Falënderojmë të gjithë qytetarët, ekspertët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e drejtësisë që kanë kontribuar me komente, sugjerime dhe vërejtje gjatë këtij procesi”, ka thënë Gërvalla.
Sipas saj, të gjitha komentet e pranuara do të trajtohen me seriozitet dhe përgjegjësi.
“As edhe një koment i vetëm i pranuar nuk do të mbetet pa u trajtuar dhe pa marrë përgjigje. Çdo kontribut do të shqyrtohet me seriozitet dhe përgjegjësi, me qëllim që të kemi një ligj sa më të plotë, funksional dhe të qëndrueshëm”, është shprehur ajo.
Gërvalla ka theksuar se krijimi i Byrosë përbën një zotim për forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
“Pasuria e pajustifikueshme, e krijuar mbi kurrizin, mundin dhe djersën e qytetarëve të Republikës, nuk mund të mbetet e paprekshme. Ajo duhet të verifikohet, të konfiskohet kur nuk justifikohet me burime të ligjshme dhe t’u kthehet qytetarëve, të cilëve u takon”, ka deklaruar ajo.



Të tjera
Dugolli takon kongresistin amerikan Baumgartner, flasin për partneritetin
Protesta në ditën e 27-të, mbërrin në Tiranë, Eurodeputetja e njohur në mbështetje të tyre
Kadetët e FSK-së përfundojnë stërvitjen praktike “Qielli i Shqiponjave 2026”