Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të martën do të zhvillojë takim shumëpalësh me udhëheqësit e disa vendeve me shumicë myslimane, përfshirë Turqinë, Katarin, Arabinë Saudite, Indonezinë, Pakistanin, Egjiptin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Zëdhënësja Karoline Leavitt nuk specifikoi agjendën e takimit, megjithëse pritet të përqendrohet në Rripin e Gazës.
Ajo u tha gazetarëve se Trump do të largohet nga kryeqyteti i SHBA-së të hënën në mbrëmje për në New York përpara sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i shoqëruar nga zonja e parë Melania Trump.
Leavitt tha se Trump do të mbajë një fjalim të rëndësishëm të martën në mëngjes duke theksuar “ripërtëritjen e forcës amerikane në gjithë botën” dhe arritjet e tij në tetë muajt e parë të mandatit të tij të dytë, duke përfshirë “përfundimin e shtatë luftërave dhe konflikteve globale”.
Fjalimi i Trumpit do të trajtojë se si “institucionet globaliste e kanë shkatërruar ndjeshëm rendin botëror”, ndërsa artikulon “vizionin e tij të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv për botën”, tha Leavitt.
– Takime dypalëshe të planifikuara
Trump do të zhvillojë gjithashtu takime dypalëshe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres dhe udhëheqësit e Ukrainës, Argjentinës dhe BE-së të martën.
Trump do të marrë pjesë në një pritje të martën në mbrëmje me udhëheqësit botërorë përpara se të kthehet në Washington, tha Leavitt.


Të tjera
Osmani bisedon me Guerot për marrjen e detyrave nga kryetarët e rinj në Veri, i kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës
5 gjërat që janë edhe më të rrezikshme sesa pirja e duhanit
Qeveria britanike ofron deri në 3000 paund për emigrantët shqiptarë që kthehen vullnetarisht në atdhe