Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, duke iu drejtuar online Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka falënderuar kombet që e njohën shtetin palestinez.
Ai tha se populli i tij nuk do ta harrojë këtë kurrë dhe po ashtu tha se i vlerësojnë protestat në mbarë botën për kauzën e Palestinës.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që nuk e kanë bërë ende këtë të njohin Shtetin e Palestinës. Ne bëjmë thirrje për të mbështetur Palestinën që të jetë e anëtarësuar plotësisht në Kombet e Bashkuara”, tha Abbas, sipas një përkthimi të ofruar nga OKB-ja, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
“Ne dëshirojmë të falënderojmë Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë, Belgjikën, Portugalinë, Luksemburgun, Maltën, Monakon, San Marinon, Andorrën dhe Danimarkën për njohjen e tyre të Shtetit të Palestinës. Ne dëshirojmë të falënderojmë të gjitha 149 shtetet që e kishin njohur më parë Shtetin e Palestinës. Populli ynë nuk do ta harrojë këtë qëndrim fisnik”.
Ai tha se ajo që po bën Izraeli në Gaza do të mbetet në histori si një nga kapitujt më të tmerrshëm të tragjedisë njerëzore.
“Ajo që po kryen Izraeli nuk është thjesht një agresion, është një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit që është dokumentuar dhe monitoruar dhe do të regjistrohet në librat e historisë dhe në faqet e ndërgjegjes ndërkombëtare si një nga kapitujt më të tmerrshëm të tragjedisë humanitare në shekujt 20 dhe 21”, tha Abbas.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së javën e kaluar votoi për ta lejuar Abbas t’i drejtohej liderëve nëpërmjet videos, pasi Shtetet e Bashkuara thanë se nuk do t’i jepnin vizë për të udhëtuar në Nju Jork.
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha në fund të gushtit se Abbasi dhe rreth 80 palestinezë të tjerë do të prekeshin nga vendimi për të mohuar dhe revokuar vizat për anëtarët e Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe Autoritetit Palestinez me seli në Bregun Perëndimor. Zyra e Abbasit tha në atë kohë se ishte e habitur nga vendimi për vizën.
Të tjera
Belgjika s’tregon se a do burgje në Kosovë, Qeveria Kurti thotë se s’ka nisur ndonjë ‘pazar’ me ta, e as s’ka kompetenca
Reagimet për koalicionin e Tahirit me VV, Abdixhiku paralajmëron përgjigje me kohë për “punët brenda shtëpisë”
Bie çmimi global i naftës