Gjermania shprehu mbështetje të fortë për planin e armëpushimit në Gaza të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, duke deklaruar se një zgjidhje është “e arritshme” nëse Izraeli dhe Hamasi e shfrytëzojnë këtë mundësi, transmeton Anadolu.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që tani të demonstrojnë guximin për të ndërmarrë hapin përfundimtar dhe vendimtar”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, në një konferencë për shtyp në Varshavë.
Kryediplomati gjerman shtoi se Berlini kishte kontribuar gjithashtu në përpjekjet diplomatike që çuan në këtë fazë.
“Jemi mirënjohës ndaj presidentit të SHBA-së për angazhimin e tij të fortë tani. Tani është koha për të hapur derën për një paqe afatgjatë. Një paqe që ne besojmë se mund të arrihet vetëm përmes një zgjidhjeje të negociuar me dy shtete”, tha Wadephul.
Kryediplomati i Gjermanisë përsëriti thirrjen e tij që Hamasi të lirojë të gjithë pengjet izraelite për t’i dhënë fund luftës shkatërruese.
Ai gjithashtu përsëriti qëndrimin e mbajtur prej kohësh të Berlinit se Hamasi duhet të çarmatoset dhe nuk duhet të luajë asnjë rol politik në të ardhmen e Gazës, e cila duhet të jetë pjesë e një shteti të ardhshëm palestinez.



Të tjera
Policia moldave gjen më shumë prova për grupin që dyshohet se u trajnua në Serbi për nxitjen e trazirave në Moldavi
Kosova nuk ka importuar rrymë nga EFT gjatë qeverisjes sonë
Kosova do ta ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon