“Kushtetuesja e paparashikueshme” – Paralajmëron juristi: Vendimi për nënkryetarin serb mund të jetë politik, jo gjyqësor!

Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i ka mbetur afat vetëm edhe një ditë e gjysmë që ta publikojë vendimin për seancën konstituive të kuvendit, pas ankesës së Listës Serbe për votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të kuvendit nga komunitetet pakicë joserbe dhe serbe.

Gjersa masa e përkohshme skadon nesër më 30 shtator, ende mbetet e paqartë se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

E juristi Blerim Burjani, në një deklaratë për gazetën “Bota sot”, tha se Gjykata pritet të nxjerrë vendim për përsëritjen e procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.

Image

Blerim Burjani

Sipas tij, gjykata mund të kërkojë që procedura të kthehet në pikën zero dhe të zhvillohet një proces i ri për zgjedhjen e një anëtari të Kryesisë së Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Ai theksoi se ky vendim nuk pritet të bllokojë punën e Kuvendit, megjithëse, sipas tij, Gjykata Kushtetuese është shpesh e paparashikueshme edhe në aspektin profesional.

Burjani shtoi se gjykatësit kanë bindje të lirë në interpretim, por Gjykata Kushtetuese asnjëherë nuk sqaron se si e bën interpretimin dhe cilin nga shumë opsione zgjedh.

“Nuk besoj se kjo do ta bllokojë punën, edhe pse kjo gjykatë është e paparashikueshme edhe në aspektin profesional, pasi ka pasur shumë vendime të çuditshme, që shpesh cilësohen politike, por jo gjyqësore. Mendoj se do të jetë thjesht një vendim se duhet të zgjidhet anëtari i komunitetit serb. Një çështje e ditur është se gjykatësit kanë bindje të lirë në interpretim, edhe pse kjo gjykatë kurrë nuk tregon se si bëhet interpretimi dhe cilin nga 15 interpretimet e mundshme zgjedh të përdorë. Prandaj, ajo është e paparashikueshme dhe shpesh politike e jo profesionale”, përfundoi juristi.