Së fund, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me presidentin amerikan, Donald Trump, me të cilin tha se zhvilloi një “bisedë të gjatë dhe shumë përmbajtësore”.
“Miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara mbetet boshti i pathyeshëm. Kosova do të jetë gjithmonë në anën e demokracisë, lirisë dhe partneritetit me SHBA-në, sepse pikërisht aty rreh zemra e lirisë sonë”, tha Osmani, sipas njoftimit të Presidencës.
Ky takim i Osmanit me Trump u mirëprit mjaftë mirë.
E për rëndësinë e këtij takimi foli veprimtari shqiptaro-amerikan, Agim Aliçkaj.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është tashmë një lidere e dëshmuar e kalibrit perëndimor. E edukuar, e aftë, e rrjedhshme dhe depërtuese, dhe natyrisht e theksuar pro-amerikane. Aftësia e saj për t’u afruar te Presidenti Trump dhe rrethi i tij i ngushtë ka rëndësi parësore për Kosovën. Takimet e saj me Sekretarin e Shtetit Rubio dhe me vetë Presidentin janë shumë të vlefshme.
Ajo mund, në një masë të madhe, ta neutralizojë ndikimin negativ serb mbi Presidentin Trump, i cili është real. Sidomos në këtë moment, ndikimi që vjen nga ish-ambasadori Richard Grenell është shumë i rrezikshëm, pasi ai është vënë plotësisht në shërbim të interesave serbe”, deklaroi ai.
Në këtë rast, Aliçkaj përmendi edhe Grenllin dhe politikat e tij në raport me Kosovën dhe Serbinë, e për të cilat kishte kritika të mëdha,
Sipas tij, Grenell ka një urrejtje të madhe ndaj Kurtit dhe se e manipulon opozitën në Kosovë.
Më tej, veprimtari shqiptaro-amerikan kërkoi që të mbështetet presidentja Osmani nga dispora shqiptare në SHBA.
Në këtë pikë, ai tha se politika amerikane nuk ndryshon me një veprim të vetëm, gjë të cilën e ndërlidhi me pezullimin e dialogu strategjik.
“Në këtë moment vendimtar, roli i Presidentes Osmani në mbrojtje të kushtetutshmërisë, demokracisë dhe vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës është i jashtëzakonshëm. Ajo duhet gjithashtu të mbështetet nga diaspora shqiptare në Amerikë me aktivitete të shtuara lobuese në Uashington për të bllokuar politikanët anti-shqiptarë në SHBA.
Presidentja Osmani ka të drejtë kur thotë se “në Amerikë rreh zemra e lirisë sonë.” Por duhet të kemi parasysh një gjë: politika amerikane nuk ndryshon me një veprim të vetëm, si ndërprerja e dialogut strategjik me një letër të ambasadës amerikane, as me një takim të vetëm të Presidentes. Është një proces i vazhdueshëm dhe i përhershëm”, shpjegoi Aliçkaj.
Ndër të tjera, ai shtoi se Kurti dhe Osmani janë njerëzit e duhur për ta qeverisur Kosovën dhe se asnjë qeveri e re nuk duhet të formohet pa këta të dy.
“Duhet ta kemi parasysh edhe këtë: në qeverisjen e Republikës së Kosovës, askush tjetër nuk ka të drejtë të ndërhyjë apo të vendosë, përveç popullit të Kosovës përmes votës demokratike. Bazuar në zgjedhjet e fundit, të fituara me 42% nga koalicioni Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa, asnjë qeveri nuk mund të formohet nga dikush tjetër përveç Kryeministrit Albin Kurti.
Vjosa Osmani si Presidente dhe Albin Kurti si Kryeministër është formula më e drejtë dhe mënyra më e mirë e qeverisjes së shtetit në mandatin e ardhshëm. Përndryshe, duhet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme ku populli do të japë verdiktin e tij. Nuk ka rrugë tjetër normale demokratike”, përmbylli Agim Aliçkaj



Të tjera
10 gjëra për çka njerëzit pendohen që s’i kanë bërë në rini
Oficerja e FSK-së Lirijona Bajraktari triumfon në Abu Dhabi
Puna gjatë natës të mplak trurin