Deputeti i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe koordinatori i Grupit Parlamentar të koalicionit VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri dhe protestat e opozitës, përcjell Kosova Post.
Në reagimin e tij, Qoku ka vlerësuar se pohimi i Ahmetit se “Shqipëria e ka ndihmuar Kosovën gjatë luftës së vitit 1999, na ka ndihmuar edhe neve, prandaj edhe ne duhet ta ndihmojmë”, përmban dy gabime thelbësore.
Sipas tij, gabimi i parë është identifikimi i Shqipërisë me një individ apo një parti politike, ndërsa i dyti është trajtimi i Shqipërisë si një shtet i huaj ndaj të cilit shqiptarët në rajon kanë një “borxh historik”.
Qoku ka kritikuar gjithashtu qëndrimin e Ahmetit ndaj konceptit të “Shqipërisë së Re”, duke argumentuar se kjo ide nënkupton ndryshimin e elitave të vjetra politike dhe luftimin e korrupsionit.
“Shqipëria e Re nënkupton përmbysjen e kastës së vjetër dhe të korruptuar politike, e cila për më shumë se dy dekada ka mbajtur gjallë një sistem ku pushteti dhe oligarkia kanë funksionuar në interes të njëra-tjetrës”, ka theksuar ai.
Në fund të reagimit, deputeti i VLEN-it ka akuzuar Ahmetin se, duke stigmatizuar protestat dhe protestuesit, po mbron status quo-në politike në rajon.
“Duke stigmatizuar protestën dhe protestuesit, Ali Ahmeti po sillet si njëra dorë që lan tjetrën. Të korruptuarit e Ballkanit: bashkohuni!”, ka përfunduar Qoku.



Të tjera
“Narrativa të fabrikuara”, ambasadori Zemaj reagon ndaj interpretimeve për mospjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e NATO-s
Haradinaj: AAK nuk merr pjesë në Qeverinë Kurti, ai e do LDK-në si një material për kontroll total
Fund i hidhur për këto kombëtare, i japin lamtumirën Botërorit